Connect with us

Bota

Europa kopjon modelin Rama-Meloni/ 5 vende përgatisin planin e fortë për kampet e migrantëve

Pesë vende të Bashkimit Evropian po përgatiten të nisin që në vitin 2027 dërgimin e migrantëve me qëndrim të parregullt në qendra kthimi jashtë territorit të BE-së.

Danimarka, Austria, Gjermania, Holanda dhe Greqia kanë rënë dakord në Kopenhagë për parimet e një modeli të përbashkët, të njohur si “return hubs”. Qendrat do të shërbejnë për migrantët të cilëve u është refuzuar azili dhe që nuk mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Sipas raportimeve, negociatat për ngritjen e këtyre qendrave po zhvillohen me vende partnere jashtë BE-së, ndërsa Uganda dhe Ruanda përmenden si dy prej opsioneve të mundshme.

Ministri danez i Migracionit, Morten Bødskov, tha se synimi është që transferimet e para të nisin në vitin 2027. Sipas tij, qendrat nuk do të funksionojnë si burgje, por si struktura ku migrantëve do t’u ofrohet mundësia për të nisur një jetë të re.

Modeli i ri sjell në vëmendje edhe marrëveshjen Itali-Shqipëri, e cila është përmendur si një prej shembujve të këtij koncepti. Italia ka ngritur në Shqipëri struktura për menaxhimin e procedurave të kthimit të migrantëve.

Megjithatë, projekti ka hasur kritika për kostot dhe efektivitetin. Sipas Euronews, Italia ka shpenzuar më shumë se 670 milionë euro për projektin, ndërsa numri i personave të transferuar në qendrat shqiptare ka mbetur shumë më i ulët se parashikimet fillestare.

Nisma e pesë vendeve evropiane pritet të rikthejë edhe debatin mbi të drejtat e migrantëve. Organizata të shoqërisë civile paralajmërojnë se transferimi i njerëzve jashtë BE-së mund të krijojë probleme lidhur me ndalimin, ndarjen e familjeve dhe respektimin e të drejtave themelore.

Pesë ministrat pritet të takohen sërish në Mynih në fund të shtatorit, ndërsa negociatat me vendet partnere vazhdojnë.

Advertisement