Connect with us

Aktualitet

SHQIPERIA NE ZEMER TE PLANEVE TE NATO

Korridori VIII, që nis nga kompleksi portual Durrës-Porto Romano dhe shtrihet drejt Detit të Zi, është përfshirë zyrtarisht në planet dhe infrastrukturën kritike ushtarake të NATO-s, duke u njohur si korridor sigurie për mbrojtjen kolektive të Aleancës.
Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në përfundim të Ministerialit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare, të mbajtur në Bruksel.
Sipas ministrit, ky vendim e pozicionon Shqipërinë si një nyje strategjike në arkitekturën e sigurisë euroatlantike dhe e vendos vendin në qendër të planeve rajonale dhe investimeve infrastrukturore ku NATO do të përqendrohet në vitet në vijim.
“Përfshirja e Korridorit VIII është rezultat i një pune disa vjeçare, të disiplinuar dhe të qëndrueshme. Është një arritje konkrete që e vendos Shqipërinë në zemër të planeve rajonale dhe të infrastrukturave prioritare të Aleancës”, theksoi Vengu.
Në fokus të takimit ishte edhe e ardhmja e operacioneve ku Shqipëria kontribuon, veçanërisht misioni i KFOR-it në Kosovë. Ministri bëri të ditur se vendi do të rrisë kapacitetet dhe përfshirjen në këtë mision, për herë të parë edhe me komponentin ajror.

Ai shtoi se, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe komandën amerikane në Evropë, po kryhen rivlerësime për të ardhmen e misionit.
“Ky është një moment i rëndësishëm edhe për Qeverinë e re në Kosovë, për të thelluar bashkëpunimin cilësor me Aleancën”, u shpreh Vengu.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte rritja e investimeve në mbrojtje dhe ristrukturimi i industrisë ushtarake në vendet anëtare. Sipas ministrit, Shqipëria ka nisur konkretisht forcimin e kapaciteteve në këtë sektor, me kontrata të lidhura dhe të tjera në proces negocimi, zhvillime që janë mirëpritur nga aleatët.
Paralelisht, kanë nisur përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027, në koordinim me Turqinë dhe sekretariatin e Aleancës në Bruksel.

Advertisement