Politike
Shqipëria nis prodhimin e mjeteve ushtarake, Rama: Ditë historike për industrinë e mbrojtjes
Kryeministri Edi Rama ka cilësuar si një moment historik për Shqipërinë ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në vend sipas standardeve të NATO-s, të cilat do t’i kalojnë në përdorim Forcave të Armatosura.
Rama u shpreh se pas një periudhe të gjatë ku ushtria shqiptare ishte mbështetur kryesisht te importet, vendi tashmë po hyn në një fazë të re, ku jo vetëm përdor teknologji të mbrojtjes, por edhe zhvillon kapacitete prodhuese.
Sipas kryeministrit, partneriteti mes kompanisë “Timak Defence” dhe kompanisë shtetërore “KAYO” ka krijuar mundësinë që një pjesë e industrisë së mbrojtjes të zhvillohet brenda Shqipërisë.
Rama tha se objektivi është që deri në vitin 2028 Forcat e Armatosura të pajisen me kapacitete dhe mjete të reja, ndërsa theksoi se Shqipëria synon të zgjerojë më tej prodhimin vendas në fushën e mbrojtjes.
Gjatë ceremonisë, kryeministri deklaroi se në të ardhmen vendi mund të prodhojë pajisje dhe mjete që mund të përdoren edhe nga ushtri të vendeve të tjera aleate të NATO-s.