Connect with us

Politike

“Shqipëria po kthehet në rrezik për turistët”/ Berisha lëshon akuza

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për vrasjen e turistit portugez në jug të vendit, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë për imazhin e Shqipërisë dhe turizmin.

Në takimin e radhës me mediat, Berisha deklaroi se përgjegjësia për situatën e kriminalitetit bie edhe mbi drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe strukturat e sigurisë. Ai akuzoi qeverinë dhe persona që, sipas tij, janë të lidhur me të, për lejimin e një situate ku krimi ka depërtuar edhe në zonat turistike.

“Turizmi, siç tregon ky rast dhe raste të tjera, është kryesisht në duart e krimit dhe antiligjit”, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar arrestimit të një punonjësi policie në lidhje me hetimin e ngjarjes, Berisha tha se përfshirja e një efektivi shtetëror e bën edhe më shqetësuese situatën. Sipas tij, rojet e sigurisë në ambientet ku ndodhi konflikti duhet të kishin parandaluar përplasjen dhe jo të dyshoheshin për ndihmë në largimin e autorit.

Berisha ngriti gjithashtu pretendimin se krimi mund të jetë fshehur për disa orë pas ngjarjes, ndërsa theksoi se roli i personave të përfshirë duhet të përcaktohet nga hetimet.

“Një turist mund të humbasë jetën në një vend, mund të ndodhë dhe të marrë goditje fatale, por turistit portugez i ndodhën këto në një mjedis ku rojet e sigurisë ishin punonjës shtetërorë”, tha ai.

Kreu i PD-së deklaroi se ngjarje të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë në sytë e turistëve të huaj, duke argumentuar se një vend ku një turist humb jetën në rrethana kriminale përcjell një mesazh negativ për sigurinë.

“Pasojat janë një emër i keq për Shqipërinë si vendi ku vriten turistët. Nuk ka më keq se kaq”, u shpreh Berisha.

Hetimet për ngjarjen në jug të vendit vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë rrethanat e konfliktit, personat e përfshirë dhe përgjegjësinë e secilit prej tyre.

Advertisement