Politike
Shumë zhurmë në Tiranë/ Zaloshnja: Dilni në zgjedhje, përballuni me Ramën te kutia e votimit
Pas 94 ditësh protestë në bulevardet e Tiranës, lëvizja qytetare ende nuk ka prodhuar një rezultat konkret politik. Ka pasur ulje-ngritje në pjesëmarrje dhe shumë zhurmë në rrjetet sociale, por ende mungon një strukturë drejtuese e gjithëpranuar dhe një objektiv politik i realizuar.
Sipas Eduard Zaloshnjës, pikërisht gara e ardhshme për Bashkinë e Tiranës mund të jetë testi real i forcës së protestës.
Ndërsa PS-ja dhe opozita përgatiten të nxjerrin kandidatët e tyre, organizatorët e protestës kanë përpara një mundësi: të nxjerrin një kandidat të tyrin dhe të provojnë në kutitë e votimit se sa mbështetje reale kanë në kryeqytet.
Shifrat e zgjedhjeve të vitit 2023, sipas Zaloshnjës, tregojnë se hapësira ekziston.
Rreth 165 mijë tiranas votuan kandidatin e mbështetur nga Rama, rreth 105 mijë kandidatin e mbështetur nga Berisha, ndërsa rreth 32 mijë votuan kandidatë të tjerë. Në të njëjtën kohë, rreth 200 mijë zgjedhës nuk morën pjesë fare në votime.
Pra, argumenton Zaloshnja, një pjesë e konsiderueshme e elektoratit të Tiranës nuk u rreshtua pas dy kampeve kryesore.
Tani protesta ka përballë testin e vërtetë: a mund ta kthejë “gumëzhimën internetore” në vota?
Nëse organizatorët besojnë se kanë mbështetje reale në kryeqytet, gara për Bashkinë e Tiranës do të ishte mundësia ideale për ta provuar.
Në fund, kutia e votimit do të japë përgjigjen që rrjetet sociale nuk mund ta japin: sa “këllqe elektorale” ka realisht protesta e bulevardit.
E PLOTE
Nga pikëpamja e zhurmës algoritmike në rrjetet sociale, në fakt, protesta bulevardore ka qenë e suksesshme. Por ka mbetur vetëm gumëzhimë internetore…
Teksa vjeshta po fillon, dy partitë e mëdha po ziejnë përbrenda për të nxjerrë kandidatët e tyre në garën bashkiake të Tiranës, të cilët do të bekohen përfundimisht nga Rama e Berisha (përkatësisht). Ndërkohë protesta bulevardore vazhdon ritualin e përditshëm…
Në qoftë se duan të tregojnë se sa këllqe elektorale kanë në kryeqytet, organizatorët e protestës bulevardore mund të nxjerrin një kandidat për Bashkinë Tiranë, që të garojë me kandidatët e Ramës dhe Berishës.
Më 2023, rreth 165 mijë tiranas votuan për kandidatin e Ramës (rreth 6.5 mijëve nga ata 165 mijë u rezultuan votat të pavlefshme); rreth 105 mijë votuan për kandidatin e Berishës (rreth 4.5 mijëve nga ata 105 mijë u rezultuan votat të pavlefshme); dhe rreth 32 mijë votuan për kandidatë të tjerë (rreth 1.3 mijëve nga ata 32 mijë u rezultuan votat të pavlefshme). Ndërkohë, rreth 200 mijë zgjedhës tiranas nuk votuan fare…
Me pak fjlaë, fusha elektorale është e hapur për një kandidat bulevardor, spese nga rreth 500 mijë zgjedhës në Bashkinë Tiranë, vetëm 6/11 votuan para tre vjetësh për dy kandidatët e Ramës dhe Berishës. Ndërsa 5/11 e zgjedhësve tiranas ose nuk votuan fare ose votuan për kandidatë të tjerë anti Ramë-Berishë…