Kronike
Si u tradhtua shqiptari ‘bosi i kokainës’ nga udhëtimet e familjarëve drejt Dubait
Gjurmimi i udhëtimeve të familjarëve të tij mes Shqipërisë dhe Dubait u bë çelësi që çoi autoritetet në arrestimin e një prej shqiptarëve më të kërkuar nga drejtësia italiane, i akuzuar si organizator i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Venecia.
Kol Bushpepa u vu në pranga dy ditë më parë gjatë një operacioni të përbashkët të policisë shqiptare dhe autoriteteve italiane. 43-vjeçari ndodhet aktualisht në pritje të ekstradimit drejt Italisë, ku ishte shpallur në kërkim prej katër vitesh.
Sipas mediave italiane, Bushpepa kishte zgjedhur Dubain si strehë për t’iu shmangur drejtësisë. Kohët e fundit ai kishte ftuar familjarët për të kaluar festat e fundvitit atje, por më pas ishte rikthyer fshehurazi në Shqipëri. Hetuesit kishin mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e bashkëshortes dhe personave të afërt, duke arritur më në fund të lokalizonin vendndodhjen e tij në Tiranë.
Në Itali, Bushpepa konsiderohej një figurë kyçe në trafikun e kokainës dhe njihej nga hetuesit me nofkën “bosi i kokainës”. Në vitin 2022 ndaj tij u lëshua urdhër arresti ndërkombëtar për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Gjykata italiane e kishte dënuar në mungesë me 5 vite, 3 muaj dhe 10 ditë burg. Aktualisht atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vite e 18 ditë heqje lirie.
Historia e Bushpepës me drejtësinë italiane daton që në vitin 2009, kur në moshën 27-vjeçare ai u procedua për herë të parë në Venecia si pjesë e një grupi italo-shqiptar të trafikut të drogës. Në atë periudhë ai rezultonte me precedentë të vegjël për shpërndarje narkotikësh, ndërsa punonte në zonë.
Emri i tij u rikthye fuqishëm në dosjet hetimore në vitin 2012, gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan 229 kilogramë marijuanë në zonën mes Mestre dhe Martellago, si dhe sasi kokaine e një armë “Zastava”. Vlera e drogës në tregun e pakicës vlerësohej rreth 2 milionë euro. Bushpepa ishte mes personave të arrestuar në atë operacion.
Sipas hetimeve italiane, nga viti 2021 ai kishte marrë drejtimin e rrjetit kriminal, duke organizuar furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës në Venecia dhe provincat përreth. Grupi dyshohet se trafikonte të paktën 2 kilogramë kokainë në muaj, duke siguruar fitime prej miliona eurosh çdo vit.
Për të shmangur përgjimet dhe gjurmimin nga policia, anëtarët e organizatës përdornin komunikime të koduara, ndërronin vazhdimisht kartat SIM dhe lëviznin shuma të mëdha parash në mënyrë të fshehtë.
Arrestimi i Bushpepës konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj rrjeteve shqiptare të trafikut të drogës që veprojnë në Itali.