Shkrime
Sinjalet flasin pa zhurmë, Rama po përgatitet për ‘prerjen e kokave’ nga të tijët
Pas sulmeve, linçimeve dhe shtyrjes së protestuesve drejt dhunës, duket se Edi Rama ka vënë në zbatim planin B për të shuar protestën.
Qytetarët kanë ditë që protestojnë dhe sot janë dhënë sinjale se Rama pritet të nisë një furtunë spastrimesh për të zbutur revoltën qytetare.
Ka qenë kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili akuzoi një pjesë të protestuesve për dhunën e ushtruar gjatë tubimit, ndërsa theksoi se qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore duhet të ndahen nga ata që, sipas tij, e kanë marrë peng protestën.
“Po si kujtoni ju se populli është budalla? Po shqiptarët e njohin ujkun edhe kur maskohet si mama dhia, lëre më si flamingo. Nuk e fshehni dot egërsinë talebane nën pendët e bukura rozë. Qytetaria e bukur e bulevardit të flamingove u distancua përfundimisht nga dhuna e këtyre mbeturinave politike e sociale që morën peng protestën”, shkruan Balla.
Teksa më pas shtrin dorën e dialogut, Balla deklaron se janë gati të dëgjojnë shqetësimet edhe për ata që abuzojnë me karrigen e pushtetit. Pra, me gjasë do të nisë “prerja e kokave”.
“Edhe pak dhe do të vijë natyrshëm koha e dialogut me ata që kishin arsyet e tyre legjitime për të protestuar. Që nga shqetësimet për natyrën deri te zemërimi ndaj atyre që shpërdorojnë besimin mbi karrigen e pushtetit, dëgjimin dhe reflektimin tonë”, shprehet Balla.
Më pas erdhi një reagim disi i ngjashëm nga vetë kryeministri Rama, i cili flet për reflektim.
“Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre! Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit”, shkruan Rama.
Flitet se Rama pritet të bëjë ndryshime në qeveri dhe në nivele të tjera të administratës…sinjalet janë dhënë…