Aktualitet
Situata e zjarreve në vend, riaktivizohet vatra në Drenie të Patosit; në Pukë flakët kërcënojnë ‘kurorën e gjelbër’
Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë problematike në disa zona të vendit. Gjatë ditës së sotme është riaktivizuar zjarri në Drenie të Patosit, ndërsa një tjetër vatër ka rrezikuar seriozisht kurorën e gjelbër të qytetit të Pukës.
Në Drenie, për përballimin e flakëve janë angazhuar pesë mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 15 forca bashkiake. Ndërhyrja paraqitet e vështirë për shkak të terrenit të thepisur dhe intensitetit të zjarrit.
Situatë shqetësuese është paraqitur edhe në Pukë mëngjesin e kësaj të marte, ku një vatër zjarri përfshiu një pjesë të sipërfaqes së pyllëzuar dhe rrezikoi kurorën e gjelbër të qytetit.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikësit e Pukës, të ndihmuar edhe nga banorët e lagjes Laçaj. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, por rrethanat mbeten ende nën hetim.
Sipas informacioneve paraprake, kjo është hera e parë pas shumë vitesh që një zjarr kërcënon në mënyrë serioze këtë hapësirë të gjelbër, e cila shtrihet në qindra hektarë përreth qytetit të Pukës.
Policia ka ngritur një grup hetimor për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të verifikuar dyshimet për një zjarrvënie të mundshme të qëllimshme.