Kronike
Skafi defekt në det/ Shpëtohen në mesnatë 13 pushues te ‘Kepi i Rodonit’
13 persona kanë mbëtur dje gjatë orëve të natës të bllokuar në det te “Kepi i Rodonit”. Ata u evakuuan në mesnatë. Policia bën me dije se pushuesit shqiptarë, të afërm me njëri-tjetrin po lundronin me skaf, por ky i fundit pësoi defekt. Shërbimet e policisë kufitare u sinjalizuan për rastin rreth orës 22:30.
“Mbetën në det, gjatë orëve të natës, pasi skafi me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, pësoi defekt, shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë 13 shtetasve (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), 6 prej të cilëve shtetas të mitur. Operacioni i shpëtimit zgjati deri në mesnatë dhe përfshiu evakuimin e 13 shtetasve dhe rimorkimin e mjetit lundrues skaf.
Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 13 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar edefektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit”, bën me dije policia.