Aktualitet
SKANDALI TE ONKOLOGJIKU/ SPAK MBYLL DOSJEN, DERGON PER GJYKIM MJEKUN
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për dosjen e Onkologjikut dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për seancë paraprake, ndaj tre personave të dyshuar për korrupsion aktiv dhe pasiv.
Prokurori Elvin Gokaj ka kërkuar dërgimin për gjykim të mjekut Edmond Gashi, koordinatorit Emiljano Lela dhe Mustafa Xhepmetajt, i cili dyshohet se ka korruptuar mjekë të përfshirë në skemën e hetuar.
Sipas hetimeve të SPAK-ut, mjeku Edmond Gashi, në bashkëpunim me persona të tjerë, orientonte pacientë të diagnostikuar me sëmundje tumorale drejt një klinike private për trajtimin e tyre.
Nga hetimet rezulton se kjo klinikë ishte në emër të babait të mjekut, Halil Gashi. Ky element është përfshirë nga prokuroria në dinamikën e skemës së dyshuar të korrupsionit.
Çështja tashmë i është dërguar gjykatës për seancën paraprake, ku do të shqyrtohen kërkesat e prokurorisë dhe provat e administruara gjatë hetimit.
Dosja e Onkologjikut u bë publike pas hetimeve që nxorën në pah dyshime për mënyrën se si orientoheshin pacientët e diagnostikuar me kancer dhe për marrëdhëniet mes personelit mjekësor dhe strukturave private.
Ndërkohë, një pjesë e personave të përfshirë në hetimin fillestar është dërguar më herët në Prokurorinë e Tiranës, për shkak të kompetencës.
Tashmë, me përfundimin e hetimeve nga SPAK për tre të dyshuarit, vendimi për kalimin e çështjes në gjykim do të merret pas shqyrtimit të saj në seancën paraprake.