Aktualitet
Skema, artistët mund të lënë skenën në 47 vjeç, shteti paguan 70% të pagës për 5 vjet
Artistët e institucioneve publike të artit dhe kulturës mund të përfitojnë një skemë të posaçme financiare përpara moshës së pensionit. Projektligji i nxjerrë për konsultim publik parashikon pagesë mujore nga shteti dhe mbulimin e kontributeve shoqërore e shëndetësore.
Për akrobatët, balerinët dhe valltarët, përfitimi mund të nisë nga mosha 47 vjeç, nëse kanë të paktën 15 vite performancë skenike dhe 15 vite sigurime.
Për këngëtarët lirikë-solistë dhe koristët, kufiri është 57 vjeç. Solistëve u kërkohen 20 vite performancë dhe 20 vite sigurime, ndërsa koristëve 20 vite performancë dhe 25 vite sigurime.
Gjatë pesë viteve të para, artistët do të marrin 70% të pagës bruto të muajit të fundit të punës. Më pas, pagesa do të jetë 50% e pagës neto të referencës për profesionin, deri në daljen në pension.
Periudha e përfitimit do të llogaritet si periudhë sigurimi, ndërsa kontributet do të mbulohen nga shteti.
Skema pritet t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit rreth 50.8 milionë lekë për periudhën 2027–2029 dhe parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.