Aktualitet
Skena si në film/ I gjithë kati i parë në flakë, pushuesit që hidheshin nga ballkonet
Zjarrfikësi Luan Kapaj ka folur për zjarrin i cili përfshiu orët e para të mëngjesit hotelin “Brooklyn” në Vlorë, ku si pasojë e kësaj u plagosën 6 persona. Gjatë një prononcimi për mediat, Kapaj u shpreh se komplet kati i parë ka qenë në flakë. Ai tha se është dashur që të punohej në dy drejtime, ku të izolohej kati i parë që mos të kalonte zjarri drejt hotelit dhe të bëhej i mundur evakuimi i gjithë banorëve rezidentë në hotel.
Zjarrfikësi theksoi se për banorët ishte e pamundur të dilnin nga shkallët dhe u detyruan të hidheshin nga ballkoni. Më tej, ai shtoi se zjarri ka pasur përmasa të mëdha në katin e parë të bar-restorantit dhe për pak mund të ishtë përhapur edhe në kaktin e dytë ku ishte hoteli.
“Mbrëmë kemi pasur një situatë disi të veçantë sepse ka qenë një zjarr në përmasa të mëdha në katin e parë të bar-restorantit dhe desh u përhap në aktin e dytë ku ishte hoteli. Fillimisht në zyrën e informacionit ka ardhur një telefonatë, dikush ka kaluar, ka parë një si djegie “po digjet një kolltuk.” Ekipi zjarrfikës ka qenë në vendngjarje, komplet kati i parë në flakë. U desh të bëhej ndërhyrja në dy drejtime, të izolohej kati i parë që mos të kalonte zjarri drejt hotelit dhe të bëhej i mundur evakuimi i gjithë banorëve rezidentë në hotel. U punua me forcat në dispozicion dhe me ndihmë nga të tjerat. Për banorët ishte e pamundur të dilnin nga shkallët dhe u detyruan të hidheshin nga ballkoni”, shpjegoi Kapaj.