Aktualitet
“Smart City” hyn në fazë operative, qeveria hap thesin për stafin e projektit
Qeveria ka nisur zyrtarisht lëvizjet për vënien në punë të projektit “Smart City”, një nga projektet më të mëdha dhe më të debatueshme të mbikëqyrjes digjitale në Shqipëri, ndërsa paralelisht ka miratuar edhe pagat për stafin që do të administrojë sistemin e kamerave inteligjente.
Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, drejtuesit dhe menaxherët e projektit do të paguhen me 170 mijë lekë në muaj, ndërsa koordinatorët dhe punonjësit teknikë do të marrin 141 mijë lekë në muaj, paga dukshëm mbi mesataren e administratës publike dhe shumë më të larta se paga mesatare në vend.
Vendimi tregon qartë se projekti po hyn në fazën operative, ndërsa qeveria po ndërton strukturën që do të administrojë rrjetin gjigant të kamerave dhe sistemeve të inteligjencës artificiale nën administrimin e Policisë së Shtetit.
Faza e parë përfshin vendosjen e rreth 5 mijë kamerave inteligjente në rrugët kryesore dhe pranë 20 shkollave, ndërsa projekti parashikon zgjerimin e rrjetit në të gjithë qytetet kryesore të vendit.
Projekti u formalizua fillimisht në prill 2024, kur ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla firmosi memorandumin me kompaninë “Presight AI”, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja u klasifikua sekrete.
Më pas, gjatë vizitës së presidentit të Emirateve në Tiranë, Edi Rama firmosi letrën e angazhimit që e futi “Smart City” në listën e projekteve me rëndësi kombëtare.
Dhe bashkë me rëndësinë, u rrit edhe fatura. Nga 60 milionë dollarë fillestarë, kostoja e projektit shkoi në rreth 140 milionë dollarë me TVSH, financim që do të mbulohet përmes një huaje nga Fondi i Abu Dhabit për Zhvillim.
Vetëm licencat e softuerëve kushtojnë 31 milionë dollarë. Pajisjet dhe infrastruktura marrin 62.4 milionë dollarë të tjera. Mirëmbajtja katërvjeçare kushton 17.1 milionë dollarë, ndërsa miliona të tjera shkojnë për radarë inteligjentë, sensorë zhurme dhe kamera trupore për policinë.
Në total, sistemi do të përfshijë:
-2 239 kamera ANPR për identifikimin e targave;
-2 602 kamera PTZ me lëvizje inteligjente;
-3 816 kamera trupore për policinë;
-100 radarë inteligjentë;
-100 sensorë zhurme për trafikun.
Pra, Shqipëria po ndërton një nga sistemet më të mëdha të monitorimit elektronik në rajon.