Kronike
Sokol Hoxha ekstradohet/ Si një sherr për një kasetofon solli vrasjen e dy vëllezërve në Patos
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ekstraduar drejt Shqipërisë Sokol Hoxhën, personin e akuzuar për një ngjarje të rëndë kriminale të vitit 1997, për të cilën ai ishte shpallur në kërkim prej rreth tre dekadash.
Hoxha, i arrestuar disa muaj më parë në SHBA, do të përballet me drejtësinë shqiptare për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj në Patos, ngjarje e ndodhur më 30 mars të vitit 1997.
Sipas dosjes hetimore, konflikti që çoi në ngjarje nisi pas një mosmarrëveshjeje për një kasetofon makine. Hetimet dhe vendimet gjyqësore kanë përcaktuar se pas një përplasjeje mes disa personave, situata ka degjeneruar në përdorim armësh, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Banaj.
Sipas akteve të dosjes, Sokol Hoxha dhe Dritan Selimi janë shpallur fajtorë për vrasjen e kryer në bashkëpunim, ndërsa pas ngjarjes të dy janë larguar dhe për vite kanë shmangur përballjen me drejtësinë.
Përveç dënimit në Shqipëri, Sokol Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm edhe në Belgjikë për vrasjen e shtetases shqiptare Brunilda Dervishi. Pas ekstradimit nga SHBA, autoritetet shqiptare kanë nisur komunikimet me palën belge për çështjen përkatëse.
Ndërkohë, autoritetet britanike kanë revokuar edhe pasaportën britanike që Hoxha kishte siguruar me një identitet tjetër, Hysen Gashi, emër me të cilin ai kishte udhëtuar më pas edhe drejt Shteteve të Bashkuara.