Bota
Sot Dita Botërore pa duhan
Çdo vit më 31 maj, OBSH dhe partnerët e saj shënojnë Ditën Botërore Pa Duhan, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi pasojat e përdorimit të duhanit dhe për të nxitur politika efektive për uljen e konsumit të tij.
Këtë vit, fushata globale zhvillohet nën sloganin “Zotohu dhe lëre”, duke u fokusuar në mbështetjen e personave që dëshirojnë të heqin dorë nga duhani përmes mjeteve, këshillimit dhe burimeve të specializuara.
Sipas OBSH-së, duhani mbetet një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet jo-ngjitëse, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare, kancerin, sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe diabetin. Organizata thekson se edhe ekspozimi ndaj tymit pasiv paraqet rrezik serioz për shëndetin.
Ekspertët nënvizojnë se përfitimet nga lënia e duhanit shfaqen shumë shpejt. Vetëm 20 minuta pas cigares së fundit, ritmi i zemrës fillon të normalizohet, ndërsa brenda 12 orëve niveli i monoksidit të karbonit në gjak bie ndjeshëm. Pas disa javësh përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe funksioni i mushkërive, ndërsa me kalimin e viteve ulet ndjeshëm rreziku për goditje në tru, kancer të mushkërive dhe sëmundje të zemrës.
OBSH vlerëson se gjasat për ta lënë duhanin me sukses rriten me 84% kur duhanpirësit marrin këshillim intensiv nga profesionistët e shëndetësisë.
Për të ndihmuar në këtë proces, organizata ka zhvilluar mjete digjitale si chatbot-i “Quit Challenge” dhe asistenti virtual me inteligjencë artificiale “Florence”, të cilët ofrojnë këshilla, mbështetje dhe informacione për personat që duan të heqin dorë nga duhani. Programi “Quit Challenge” ofron udhëzime dhe motivim të përditshëm për deri në gjashtë muaj dhe është i disponueshëm falas në platforma si WhatsApp, Viber, Facebook Messenger dhe WeChat.
Sipas të dhënave globale, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave në botë janë duhanpirës. Evropa vazhdon të ketë normat më të larta të konsumit të duhanit, me rreth 26% të popullsisë që konsumon produkte të duhanit. OBSH paralajmëron se pa masa më të forta nga qeveritë, ulja e kësaj shifre do të jetë minimale në vitet e ardhshme.
Me rastin e Ditës Botërore Pa Duhan, OBSH u bën thirrje qytetarëve të ndërmarrin hapin drejt një jete më të shëndetshme, ndërsa institucioneve të forcojnë politikat për parandalimin dhe reduktimin e përdorimit të duhanit.