Connect with us

Politike

SOT ORA 10:00/ Nis gjyqi i ministrave, Rama mban të fshehtë goditjen, kabineti pa gjumë nga ankthi

Kryeministri Edi Rama po i afron ministrat dhe deputetët socialistë drejt një prej mbledhjeve më të rëndësishme të nisjes së sezonit politik.

Në sfond janë protestat e muajve të fundit, dorëheqja në Shëndetësi dhe precedenti i shkurtit, kur një mbledhje e ngjashme u shoqërua me ndryshime të rëndësishme në kabinet.

Rama mblodhi këtë të mërkurë ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në “Vilën e Kuqe” në Sauk. Në fokus ishte organizimi politik në terren dhe mënyra e komunikimit me qytetarët, ndërsa deputetët dhe zëvendësministrat pritet të shtojnë praninë e tyre në zona të ndryshme të vendit. Por ajo që ka tërhequr vëmendjen nuk është vetëm organizimi i mazhorancës.

Sytë janë te dita e enjte

Në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave, Rama ka thirrur grupin parlamentar socialist. Mbledhja vjen pas një serie takimesh me ministrat, deputetët dhe drejtuesit e PS-së dhe në rendin e diskutimeve pritet të jetë edhe nisma “Besa”. Megjithatë, në prapaskenë ka marrë peshë një tjetër pyetje:

A DO TË NDRYSHOJË RAMA QEVERINË?

Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se mbledhja do të shoqërohet me ndryshime në kabinet. Por disa zhvillime të fundit kanë ushqyer fort këtë skenar.

Një prej tyre është dorëheqja e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e cila, sipas raportimeve, e komunikoi vendimin gjatë mbledhjes së qeverisë, duke deklaruar se do t’i rikthehet angazhimeve akademike. Kjo do të detyrojë Ramën të zgjedhë një emër të ri për dikasterin. Por pyetja më e madhe është nëse kryeministri do të ndalet këtu.

A do të jetë Shëndetësia thjesht një zëvendësim i detyruar, apo një mundësi për një rifreskim më të gjerë të kabinetit?

Dyshimet ushqehen edhe nga ajo që ndodhi më 26 shkurt.

Atëherë Rama mblodhi grupin parlamentar socialist dhe ministrat për raportimin e punës së tyre. Mbledhja përfundoi me një seri lëvizjesh në qeveri, përfshirë ndryshime në Infrastrukturë dhe Energji, Diplomaci, Mbrojtje dhe disa dikastere të tjera. Pra, precedenti ekziston.

Dhe pikërisht ngjashmëria e formatit të dy mbledhjeve, e kombinuar me dorëheqjen e fundit në qeveri, ka rikthyer pyetjen nëse Rama mund të ketë përgatitur një tjetër surprizë.

MINISTRAT NË ANKTH, DEPUTETËT NË PRITJE

Këtë herë, sfondi politik është edhe më i tensionuar.

Sesioni i ri parlamentar nis të martën, ndërsa mazhoranca përballet me një klimë të tensionuar politike dhe sociale dhe me protesta që kanë zgjatur prej muajsh.

Rama ka kërkuar një prani më të madhe të strukturave socialiste në terren, përfshirë deputetët, ministrat dhe zëvendësministrat. Nisma “Ora e Pranisë Besnike” synon pikërisht forcimin e kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimin e problematikave të tyre.

Në këtë situatë, një ndryshim i kabinetit do të mund të shërbente edhe si mesazh politik në prag të rikthimit të Kuvendit.

Por deri në momentin kur Rama të marrë fjalën, gjithçka mbetet në kuadrin e skenarëve.

Sipas zerave, brenda kabinetit ka ministra që presin largimin, ndërsa në kampin parlamentar ka deputetë që presin ngjitjen në qeveri. Por vendimi, nëse do të ketë një të tillë, mbetet ekskluzivisht në dorën e Ramës.

Dhe pikërisht për këtë arsye, mbledhja e sotme mund të jetë shumë më tepër se një takim rutinë: mund të jetë momenti kur kryeministri vendos nëse qeveria do të vazhdojë me të njëjtin ekip apo do të hyjë në një tjetër fazë.

Advertisement