Politike
Spaho përplaset me Arjana Kalanë: Harrove sa ma ke sharë Berishën kur s’të bëri Avokate të Popullit
Një debat i nisur në rrjetet sociale ka sjellë një tjetër përplasje brenda Partisë Demokratike, këtë herë mes ish-deputetit Edmond Spaho dhe aktivistes Arjana Kalaja.
Shkak është bërë një postim i Mariglent Doçit, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, i cili kishte kritikuar publikisht Spahon për qëndrimet e tij ndaj opozitës dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Në diskutimin që pasoi, Arjana Kalaja reagoi ndaj Spahos me tone të ashpra, duke e cilësuar atë si “të ndyrë”, në lidhje me deklaratat dhe qëndrimet e tij kritike ndaj drejtimit të opozitës.
Por përgjigjja e ish-deputetit ishte po aq e drejtpërdrejtë.
Spaho iu kundërpërgjigj Kales duke i rikujtuar një episod të mëparshëm, kur, sipas tij, ajo kishte kritikuar dhe sharë Sali Berishën pasi nuk ishte propozuar si kandidate për postin e Avokatit të Popullit.
Në reagimin e tij, Spaho e sfidoi publikisht Kalanë, duke e pyetur nëse dëshironte që ai të publikonte mesazhet që pretendon se ajo i kishte dërguar në atë periudhë.
“A do që t’i publikoj çfarë më ke shkruar, se ende i kam në telefon?”, shkruan Spaho.
Kështu, një debat që nisi pas një postimi në rrjetet sociale u kthye në një përplasje të drejtpërdrejtë mes dy figurave të kampit opozitar, duke nxjerrë në sipërfaqe edhe përplasjet e mëparshme brenda së djathtës.
Në qendër të debatit janë qëndrimet ndaj Berishës dhe mënyra se si figura të ndryshme të opozitës kanë reaguar ndaj drejtimit të PD-së në momente të ndryshme.
Deri tani, nuk ka një reagim të mëtejshëm nga Kalaja lidhur me paralajmërimin e Spahos për publikimin e mesazheve.
