Politike
SPAHO TRONDIT ME DEKLARATEN: OPOZITA S’KA FUQI TA DETYROJE RAMEN TE JAP DOREHEQJEN
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, të thirrur nga Presidenti Bajram Begaj pas zhvillimeve që lidhen me ish-drejtoren e SHISH, Vlora Hyseni, ish-deputeti i PD-së Edmond Spaho ka kritikuar qëndrimin e opozitës dhe kërkesën e saj për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Spaho e cilësoi mbledhjen e Këshillit si një veprim të natyrshëm përballë një çështjeje që prek sigurinë kombëtare, duke theksuar se ky institucion ka rol konsultativ dhe jo vendimmarrës.
Sipas tij, rasti i Vlora Hysenit ngarkon me përgjegjësi edhe qeverinë, por opozita, në vend që të fokusohet te mënyrat për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme, po e orienton debatin drejt përplasjes politike.
“Këto janë akrobacira të opozitës. Opozita ka detyrimin të japë këndvështrimin e saj si të evitohen ngjarje të tilla në të ardhmen, por opozita e orienton të gjithë debatin në spektrin e luftës politike”, deklaroi Spaho.
Ai kundërshtoi gjithashtu idenë se mbledhja e Këshillit të Sigurimit i shërben kryeministrit, duke argumentuar se një mbledhje e tillë ishte e pritshme pas zhvillimeve në SHISH.
Spaho u ndal edhe te kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës. Sipas tij, kryeministri do të largohej nëse do të humbiste mbështetjen e shumicës parlamentare, por ai pretendon se aktualisht nuk ka shenja për një lëkundje të mazhorancës.
“Kryeministri jep dorëheqjen nëse i lëkundet mazhoranca në Kuvend dhe nuk ka asnjë shenjë që kjo mazhorancë është lëkundur”, tha ai.
Ish-deputeti demokrat e zhvendosi më pas kritikën te vetë opozita, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për të krijuar një alternativë që mund ta çojë mazhorancën drejt dorëheqjes.
Në deklaratën e tij, Spaho shkoi edhe më tej, duke kritikuar drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke argumentuar se opozita duhet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore.
“Të rrish e të presësh dorëheqjen e kryeministrit është alogjike nga opozita. PD duhet të përmbyset komplet”, deklaroi Spaho.
Në këtë mënyrë, debati pas çështjes së SHISH nuk u kufizua vetëm te përgjegjësia institucionale për sigurinë kombëtare, por u shtri edhe te kriza e opozitës dhe aftësia e saj për të sfiduar mazhorancën.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në fokus kishte situatën e sigurisë kombëtare, sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe zhvillimet në SHISH.