Kronike
SPAK: Kërkojmë ekstradimin e Ermal Beqirajt në Shqipëri
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar detaje të reja mbi operacionin ndërkombëtar që çoi në arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiri në Francë, si dhe mbi hetimet që po zhvillohen për pasuritë e tij të dyshuara me origjinë kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, më 19 qershor 2026 prokurorët e SPAK kontaktuan Shërbimin e Sigurisë së Brendshme (SSI) në Tiranë për të kërkuar ndihmën e autoriteteve franceze, pasi dispononin informacione se Beqiri ndodhej në territorin francez. Në atë kohë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me njoftim të kuq të Interpolit, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë “arrest në burg”.
Pas kërkesës së SPAK, autoritetet franceze nisën menjëherë hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë Kombëtare të Policisë Gjyqësore dhe Zyrën Qendrore për Luftën kundër Krimit të Organizuar. Verifikimet konfirmuan praninë e Beqirit në Francë dhe çuan në identifikimin e disa pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Sipas SPAK, në territorin francez janë zbuluar llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike. Për këto pasuri është kërkuar ndihmë juridike nga autoritetet franceze me qëllim sekuestrimin e tyre, ndërsa hetimet financiare vijojnë për identifikimin e aseteve të tjera.
Operacioni për lokalizimin e Beqirit u mbështet edhe nga Brigada Kombëtare për Kërkimin e Personave në Arrati dhe Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar në Francë, të cilat zhvilluan hetime të koordinuara me SPAK për gjurmimin e lëvizjeve dhe pasurive të tij.
Arrestimi u krye më 24 korrik 2026, pasi Ermal Beqiri hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar pranë centralit bërthamor të Penly-t, në rajonin Seine-Maritime. Ai u detyrua të ulte avionin në aerodromin e Albert-it, në Somme, ku u ndalua nga autoritetet franceze.
Gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë. Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se kërkesa zyrtare për ekstradim i është përcjellë autoriteteve franceze përmes Ministrisë së Drejtësisë.
Prokuroria njofton gjithashtu se gjatë kontrolleve të kryera në pronat dhe ambientet në përdorim të Beqirit në Francë janë sekuestruar materiale dhe sende që konsiderohen me interes për hetimin penal. Paralelisht, vijojnë procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të identifikuara në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes Shqipërisë dhe Francës.