Aktualitet
SPAK zgjat me tre muaj hetimet për Aeroportin e Vlorës, në fokus 7 anëtarë të komisionit
SPAK ka vendosur të zgjasë me tre muaj hetimet për çështjen e Aeroportit të Vlorës, duke e shtyrë afatin e hetimit deri më 23 nëntor 2026.
Prokurorët e Posaçëm kanë vlerësuar se nevojiten veprime të tjera hetimore për të sqaruar rrethanat e dhënies së koncesionit dhe për të përcaktuar nëse gjatë procedurës janë kryer shkelje penale.
Në hetim janë shtatë anëtarë të komisionit që ka shqyrtuar procedurën e koncesionit, të dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.
Sipas dokumenteve të bëra më herët publike nga SPAK, dyshohet se konsorciumi që fitoi koncesionin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës mund të jetë favorizuar gjatë procesit të tenderimit.
Në fokus të hetimit është bashkimi i shoqërive Mabco Construction, Yda Group dhe 2A GROUP, për të cilin dyshohet se është favorizuar nga anëtarët e komisionit gjatë kualifikimit dhe shpalljes fitues.
Hetimi i SPAK ka nisur pas kallëzimit të kompanisë Al-De Corporation LTD, përmes shtetasit Aldi Çeli.
Çështja e Aeroportit të Vlorës është shoqëruar prej kohësh me përplasje mes aksionerëve të konsorciumit fitues, konkretisht Behgjet Pacollit të Mabco dhe Valon Ademit të 2A GROUP.
Në kulmin e konfliktit mes palëve, qeveria shqiptare njoftoi nisjen e procedurës për prishjen e koncesionit, ndërsa mosmarrëveshja ka përfunduar edhe në Arbitrazh.
Ndërkohë, hetimet e SPAK vijojnë për të përcaktuar nëse gjatë procedurës së dhënies së koncesionit janë kryer shkelje penale dhe nëse personat nën hetim kanë favorizuar në mënyrë të paligjshme kompanitë që u shpallën fituese.