Aktualitet
Spiuni serb në foto me Kurtin, heshtje nga LVV-ja për rastin e Fehim Salit
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende nuk ka reaguar lidhur me rastin e Fehim Salit, i cili është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Spiunazh” dhe ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Sali është arrestuar të enjten në pikën kufitare në Merdar, ndërsa rasti ndaj tij po vazhdon të trajtohet nga institucionet e drejtësisë.
Sipas informacioneve të bëra publike pas arrestimit, Sali dyshohet se është rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Serbisë (BIA) dhe se ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të këtij shërbimi.
Megjithatë, ajo që ka rënë në sy pas arrestimit të tij është mungesa e reagimit nga LVV-së, ndonëse emri i Salit është përmendur edhe në kontekstin e kontakteve të tij me institucionet e vendit.
Sipas informacioneve të publikuara, Fehim Salit kishte pasur takime me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në objektin e Zyrës së Kryeministrit.
Po ashtu, gjatë periudhës 2022–2024, Sali ka qenë anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes, duke qenë kështu pjesë e një mekanizmi institucional përmes të cilit komunitetet joshumicë komunikojnë me institucionet qendrore.
Sali dyshohet se kishte qasje edhe në dokumente të rëndësishme të institucioneve të vendit.
Ai kishte punuar si mësimdhënës në shkollën fillore serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, ai është angazhuar në aktivitete të ndryshme të shoqërisë civile dhe përmes organizatave joqeveritare ka qenë pjesë e projekteve të ndryshme që lidhen me komunitetin goran.
Në vitin 2020, ai ka themeluar organizatën “Udruzhenje gragjana Gora/Zelena”, ndërsa në Serbi, në prill të vitit 2024, është regjistruar organizata “Moja Gora”. Përmes këtyre angazhimeve, Sali ka ruajtur kontakte me pjesëtarë të komunitetit goran dhe me struktura politike e shoqërore në Kosovë dhe Serbi.
Ndër vite, ai është përfshirë edhe në çështje që lidhen me dokumentacionin serb të banorëve të Dragashit dhe zonave përreth. Ai ka shërbyer si ndërmjetësues për rregullimin e dokumenteve serbe për qytetarë të Kosovës dhe në këtë veprimtari ka pasur kontakte me një zyrtar të Agjencisë serbe të Inteligjencës – BIA.