Connect with us

REAGIM

Strazimiri sulmon Kim: Mendon si Beqir Balluku

Nuk buron populli nga shteti ligjor, oj shoqe, por shteti ligjor nga populli!
Çdo ambasador i SHBA në Tiranë, që në fjalimin e parë prezantues e në vazhdim, është shprehur gjithmonë qartë, pastër dhe bukur me një aksiomë të politikës zyrtare të SHBA:
* nuk mbështesim asnjë forcë politike apo individ në veçanti, por popullin shqiptar në vullnetin e tij të lirë për të zgjedhur!
(Kjo në fakt, që në 1945 e në vazhdim, edhe kur nuk ka patur ambasador në Tiranë…)
– Të thuash “nuk marrim parasysh popullaritetin”, do të thotë qartë, pastër dhe bukur që “nuk marrim parasysh dëshirën e popullit”…
– Të thuash “shteti ligjor” është mbi “popullaritetin”, pra dëshirën dhe preferencën e shprehur nga populli, do të thotë ta kthesh këtë vend 32 vjet pas në diktaturë.
Pse?
Sepse në një demokraci sovran nuk është ligji, po dëshira e popullit, domethënë popullariteti!
Sepse, kur ky popull u ngrit dhe guxoi të kërkonte LIRINË, e bëri duke thërmuar “ligjet” dhe “shtetin ligjor” të kohës, që nuk kishte POPULLARITET!
Sepse ishte pikërisht “ligji” që e ndalonte popullin të dëshironte diçka ndryshe nga ç’parashikonte “ligji”… duke nisur që nga LIRIA…
Nëse nuk ke kuptuar këtë, do të thotë që nuk ke kuptuar asgjë për kaq kohë sa ke qëndruar këtu…
Por më shumë se kaq, do të thotë që nuk ke kuptuar asgjë as nga vendi më i madh i demokracisë së aplikuar deri tani, ai vend që të priti si refugjate, të adoptoi e të ngriti deri në nivelet më të larta të përfaqësimit të vlerave të tij, sigurisht nën “shtetin ligjor” por, që buron nga “WE, THE PEOPLE”!
Ti thua “WE” por, njësoj si Kristaq Rama, Beqir Balluku, Ardian Dvorani, etj., etj., nuk ke kuptuar që nuk buron dëshira e popullit nga ligji, por ligji nga dëshira e popullit…
Një “shtet ligjor” që i bie ndesh “POPULLARITETIT”, nuk buron nga populli dhe, quhet qartë, pastër dhe bukur DIKTATURË!
Ktheu në shkollë dhe lexo edhe njëherë me vëmendje, mirënjohje e pendesë ata që themeluan atë vend të madh që është ylli ynë polar, e që ti refuzove ta përfaqësosh qoftë edhe për një sekondë këtu tek ne!
KAQ!
Advertisement