✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Studentët dogjën katin e parë të Ministrisë së Arsimit/ Kumbaro: I kemi dyert e hapura…

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar për herë të parë pas akteve të dhunës gjatë protestës së studentëve, ku kati i parë i godinës së Ministrisë së Arsimit është përfshirë nga flakët dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Përmes një reagimi, Kumbaro dënon dhunën dhe shkatërrimin e pronës publike, duke theksuar se protesta studentore dhe vandalizmi nuk kanë asgjë të përbashkët. Ajo shprehet se ka respekt maksimal për të drejtën e studentëve për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë nga institucionet, por kundërshton ashpër aktet e dhunës ndaj godinave dhe punonjësve publikë.

Ministrja bën me dije se dëmet në godinën e institucionit janë të rënda. Sipas saj, zjarri ka dëmtuar jo vetëm ambientet dhe bazën materiale, por edhe dokumente, duke bërë që kati i parë të mos jetë i përdorshëm deri në riparimin e tij. Megjithatë, ajo thekson se stafi vijon punën dhe se Ministria e Arsimit do të mbetet e hapur për komunikim me studentët, universitetet dhe prindërit.

Reagimi i ministres Mirela Kumbaro:
Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera.

Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e Fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun.

Si një universitare që kam protestuar vetë sa herë e kerkonte nevoja për të përdorur këtë të drejtë demokratike të fituar me sakrifica, kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama, protesta qytetare studentore dhe

-dhuna ndaj godinave dhe pronës publike;

-dhuna ndaj vendit të punës të punonjësve publike, aq më shumë kundër punonjësve të Arsimit, nuk kanë lidhje me njera tjetrën!

Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo.

Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve te fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog, ashtu siç kemi bërë gjithmonë.

Shqetësimet i dëgjojmë dhe propozimet i shqyrtojmë bashkë, pa paragjykime dhe pa i kthyer mospajtimet në përplasje.

Aktet e sotme të shkatërrimit nuk përfaqësojnë marrëdhënien e Ministrisë së Arsimit me studentët.

Përtej investimeve që janë kryer e do të vijojnë në çdo universitet të vendit,

-Janë çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi që përfitojnë mbështetje financiare për studimet e tyre;

-Mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit;

-Qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare për të cilat vendi ka nevojë përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore në masën e pagës minimale prej 500 euro!

Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrësesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private.

Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre.

Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat.

Pavarësisht se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është djegur, duke dëmtuar jo vetëm bazën materiale por edhe dokumente, duke mos qenë i përdorshëm deri sa të riparohet, stafi i Ministrisë së Arsimit është në krye të detyrës dhe Ministria e Arsimit do t’i ketë dyert e hapura si gjithmonë, sepse institucionet krijohen nga njerëzit dhe njerëzit dinë të flasin e të komunikojnë dhe kush më shumë se studentët dhe arsimtarët mund ta bëjnë këtë.

Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi.

Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t’ju shtyjë drejt akteve të dhunës.

Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve!

Advertisement