Aktualitet
Studenti: Nuk ndalemi derisa të realizohen kërkesat, për ne gjuha shqipe është e shenjtë
Një nga studentët i pranishëm në protestën që po mbahet në Tiranë, tha se studentët e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm dhe se studentët nga Shqipëria e Kosova do t’u qëndrojnë pranë deri në realizim të kërkesave. Gjatë fjalës së tij, ai tha se studentët nuk do të ndalen derisa të realizohen kërkesat, duke theksuar se gjuha shqipe është e shenjtë.
Ai u shpreh se studentë shqiptarë u gjendën nën terror psikologjik, ndërsa shtoi se gjuha shqipe i ka mbijetuar shekujve.
“Ata menduan se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë vetëm, por harruan se një Shqipëri e tërë ka sytë e mendjes e zemrës mbi ta. Shija e pushtetit u bëri gjakun ujë disave dhe i bëri të pyesin nëse vlen ose nuk vlen kauza. Studentë shqiptarë u gjendën nën terror psikologjik, 8 orë rrugëve të Maqedonisë, por nga dëshpërimi për pushtet injoruan atë që i solli në pushtet, gjuhën shqipe. U morën me lapsuse të prodhuara nga lodhja, rebelizmi dhe antagonizmi i tentativave që po bëjnë për të gjymtuar të drejtat e studentëve shqiptarë në RMV. Studentët shqiptarë po bëjnë atë që duhet të bënin politikanët atje. Për ne gjuha shqipe është e shenjtë. Kapur pas flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët i kanë mbijetuar shekujve. Shqiptaria nuk di të ndalet, ne do të jemi me ta deri në fund, deri në realizimin e kërkesave të tyre!”, tha studenti.