Connect with us

Rajon

Mitsotakis tronditet nga ‘Hellenic Watergate’

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis po përpiqet të shpëtojë nga stuhia, rreth së cilës është ngritur e rritur një skandal që nga java e kaluar, skandal që kundërshtarët e kanë riemërtuar tashmë si “Hellenic Watergate”.

Në një fjalim drejtuar kombit, Mitsotakis përsëriti se ai nuk ishte në dijeni që telefoni i kreut të Partisë Socialiste (PASOK) Nikos Androulakis ishte monitoruar nga shërbimet e inteligjencës që në vitin 2021.

Rasti, i cili shpërtheu javën e kaluar, shkaktoi shumë zhurmë, me partitë opozitare që kërkuan një hetim të plotë mbi përfshirjen e kryeministrit.

“Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (PEG) nënvlerësoi dimensionin politik të këtij veprimi të veçantë,” tha Mitsotakis.
“Ishte formalisht adekuate, por politikisht e papranueshme. Unë nuk e dija dhe, nëse do ta kisha ditur, nuk do ta kisha lejuar kurrë.”

Mitsotakis gjithashtu theksoi mangësitë e shërbimeve sekrete greke teksa Shefi dhe sekretari i përgjithshëm i zyrës së Mitsotakis dhanë dorëheqje pas skandalit.

Androulakis, anëtar i Parlamentit Evropian që nga viti 2014 dhe i zgjedhur lider i socialistëve në dhjetor 2021, tha se kishte mësuar që shërbimet e inteligjencës kishin përgjuar bisedat e tij në fund të vitit 2021, por nuk tregoi burimin e informacionit.

Partia Socialiste është e treta më e madhe në Greqi dhe ka qenë rivali kryesor politik i partisë konservatore Demokracia e Re e Mitsotakis për dekada.

Advertisement