Aktualitet
Stuhia e fuqishme mbërthen Shqipërinë, stuhi të forta në Vlorë e Kukës, situatë e vështirë në Kosovë e Maqedoni
Pas ditëve përvëluese, moti mori një tjetër kthesë mbrëmjen e së martës. Në disa qytete përfshirë Tiranën, Fierin, Sarandën, Vlorën e Kukësin janë rikthyer reshjet e shiut dhe stuhi të forta ere.
Në Kukës erërat e forta kanë shkaktuar problem në disa fshatra, kryesisht sa i përket furnizimit me energji elektrike.
Nga stuhia që zgjati vetëm 10 minuta në qytetin bregdetar të Vlorës u rrëzuan pemë, u dëmtuan tendat e karriget e lokaleve si dhe çadrat e vendosura në plazhe. Ndërkohë disa nga karriget e lokaleve në zonën e Lungomares ‘fluturuan’ nga era e fortë në rrugën kryesore.
Stuhia e furishme e një nate më parë në Sarandë ka lënduar disa persona, ndërsa 3 prej tyre kanë marrë ndihmë në spital. Mësohet se ata janë plagosur nga thyerja e xhamave të automjeteve të dëmtuara nga rrëzimi i një pishe në degët e stadiumit. Një prej tyre është goditur nga degët e një peme ndërsa ecte me motor.
Gjatë natës janë hequr të gjitha pemët e rrëzuara. Disa zona kanë pasur probleme me energjinë elektrike. Te porti i Limionit është rrëzuar një shtyllë elektrike. Dëmet janë regjistruar edhe në banesa e biznese.
Stuhia ka përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Në Shkup, erërat e fuqishme kanë dëmtuar çati banesash, kanë këputur kabllo elektrike dhe kanë rrëzuar pemë, duke shkaktuar probleme në disa pjesë të qytetit. Deri në këto momente nuk raportohen dëme apo probleme, ndërsa në Kosovë pasojat e stuhisë mbeten të konsiderueshme.
