Connect with us

Aktualitet

SWAT zbarkon në shtëpinë e John Alite, arrestohet ish-vrasësi i mafias në Nju Xhersi

Arrestohet nga forca të shumta SWAT në shtëpinë e tij shqiptaro-amerikani John Alite, ish-bashkëpunëtor i familjes mafioze Gambino dhe ish-njeri i afërt i John Gotti Jr.

Sipas New York Post, 63-vjeçari Alite u arrestua në orët e para të mëngjesit të së premtes në banesën e tij në Englishtown, New Jersey, pas një operacioni të zhvilluar nga autoritetet shtetërore. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë efektivë të shumtë të pajisur me uniforma SWAT duke iu afruar banesës së tij rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Prokuroria e Përgjithshme e New Jersey-t njoftoi se Alite akuzohet për disa vepra penale, përfshirë zhvatje përmes kërcënimit (gjobëvënie) shkelje të ligjeve të huadhënies me interesa të paligjshme (fajde), keqmenaxhim korporativ dhe kërcënime terrorizuese

Bashkë me të u arrestua edhe 67-vjeçari Stephen Locrotondo nga Bridgewater, New Jersey, i cili akuzohet për huadhënie me interesa të paligjshme dhe komplot.

“Zyra jonë është e përkushtuar të sigurojë që të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ndershme dhe ligjore. Sjellja e pretenduar në këtë rast është krejt e kundërta dhe ne do të punojmë për të mbajtur përgjegjës këdo që mashtron apo vjedh,” deklaroi Prokurorja e Përgjithshme Jennifer Davenport.

Avokati i Alites, Douglas Santon, i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se klienti i tij ka jetuar në përputhje me ligjin prej gati dy dekadash dhe se në fund do të shpallet i pafajshëm.

“John ka bërë një jetë të rregullt dhe ligjore që kur la pas të kaluarën e tij. Ai është aktiv politikisht dhe shpesh shpreh mendimet e tij publikisht, gjë që mund të ketë sjellë kundërshtarë të fuqishëm,” tha avokati.

Alite njihet si një nga figurat më të komentuara të mafies italo-amerikane. Ai ka pranuar më parë përfshirjen në gjashtë vrasje dhe ka bashkëpunuar me autoritetet federale, çka i mundësoi lirimin e parakohshëm nga burgu pasi u dënua në vitin 2011.

Pas largimit nga bota e krimit, Alite u përfshi në jetën publike dhe në vitin 2025 u emërua anëtar i Këshillit Bashkiak të Englishtown. Në një intervistë të mëparshme ai deklaronte se dëshironte të shlyente gabimet e së kaluarës dhe t’i shërbente komunitetit.

Arrestimi i tij ka shkaktuar habi në mesin e zyrtarëve lokalë. Anëtarët e këshillit bashkiak u shprehën të surprizuar, duke e përshkruar Aliten si një qytetar aktiv dhe funksionar të përkushtuar.

Ndërkohë, kryebashkiaku Daniel Francisco deklaroi se çdo qytetar amerikan gëzon prezumimin e pafajësisë dhe se duhet pritur përfundimi i procesit gjyqësor përpara se të nxirren përfundime.

Ironikisht, njeriu që dikur i shpëtoi dënimeve të gjata duke bashkëpunuar me autoritetet dhe që më pas u shndërrua në politikan lokal, sot gjendet sërish përballë drejtësisë, këtë herë i akuzuar për një skemë të dyshuar huadhënieje dhe zhvatjeje.

Advertisement