✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Takime me Begajn, SPAK-un dhe partitë e reja opozitare/ Çfarë përfshiu vizita e senatorëve amerikanë?

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin po zhvillojnë një vizitë në disa vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Gjatë qëndrimit në Tiranë, ata janë takuar me Presidentin Bajram Begaj, drejtues të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të opozitës.

Në takimet në Shqipëri, senatorët shoqërohen nga ambasadori amerikan, Eric Wendt. Sipas agjendës së publikuar për vizitën, temat kryesore përfshijnë sigurinë, integritetin euroatlantik, bashkëpunimin me NATO-n dhe sundimin e ligjit.

Të shtunën, Shaheen dhe Durbin, së bashku me ambasadorin Wendt, zhvilluan një takim me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta. Për ambasadorin Wendt, kjo ishte vizita e dytë në SPAK brenda pak ditësh. Ai ishte takuar më herët me drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme pas marrjes së detyrës në Tiranë.

Më herët, Presidenti Bajram Begaj priti dy senatorët në një takim ku, sipas njoftimit përkatës, u diskutua për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, sigurinë euroatlantike dhe bashkëpunimin në rajon. Begaj i dekoroi Shaheen dhe Durbin me titullin “Komandant i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në vlerësim të kontributit të tyre.

Gjatë vizitës, senatorët dhe ambasadori amerikan takuan edhe përfaqësues të opozitës, mes tyre deputetët e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi dhe Ivi Kaso. Sipas raportimeve, në takim opozitarët paraqitën shqetësimet e tyre për qeverisjen në vend.

Në takime morën pjesë edhe kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, dhe deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila është larguar nga Partia Socialiste.

Sipas raportimeve për takimet në Tiranë, në agjendë nuk u përfshi një takim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Pas vizitës në Shqipëri, senatorët amerikanë udhëtuan drejt Kosovës, ku pritet të zhvillojnë takime me përfaqësues të institucioneve dhe të politikës vendase.

Advertisement