Bota
Të gjithë ushtarë/ SHBA regjistron automatikisht gjithë meshkujt nga 18 deri 25 vjeç
Regjistrimi automatik për shërbimin ushtarak në Shtetet e Bashkuara pritet të hyjë në fuqi deri në dhjetor, duke ndryshuar mënyrën se si burrat regjistrohen në sistemin e mobilizimit në rast krize.
Sipas planit të ri, shumica e meshkujve nga 18 deri në 25 vjeç do të regjistrohen automatikisht në Selective Service System, pa pasur më nevojë të aplikojnë vetë brenda 30 ditëve nga mbushja e moshës 18 vjeç.
Ndryshimi është pjesë e një legjislacioni të miratuar nga Kongresi vitin e kaluar dhe synon të thjeshtojë procedurat, duke ulur burokracinë dhe kostot për shtetin.
Aktualisht, mosregjistrimi konsiderohet shkelje ligjore dhe mund të sjellë pasoja si përjashtimi nga kreditë studentore, nga shumica e vendeve të punës federale apo nga procesi i marrjes së shtetësisë për emigrantët.
Zyrtarët argumentojnë se sistemi i ri do të lejojë regjistrimin përmes bazave ekzistuese të të dhënave, duke shmangur nevojën për njoftime të vazhdueshme dhe duke kursyer miliona dollarë nga fondet publike.
Sipas të dhënave, shkalla e regjistrimit është ulur lehtë vitet e fundit, por mbetet e lartë: në vitin 2024, rreth 81% e meshkujve të kualifikuar janë regjistruar, krahasuar me 84% në vitin 2023.
Ndërkohë, gratë mbeten ende të përjashtuara nga detyrimi për regjistrim, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ndryshim ligjor.
Shërbimi i detyrueshëm në SHBA u përdor për herë të fundit në vitin 1973, gjatë fundit të Luftës së Vietnamit, ndërsa në vitin 1980, ish-presidenti Jimmy Carter riktheu detyrimin për regjistrim në Selective Service.