Kronike
Të shtëna me armë zjarri në Laç, ekzekutohet 40-vjeçari me 4 mbiemra
Një vrasje me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e kësaj të enjteje në Laç.
Mësohet se viktima është 40-vjeçari Ilirjan Lika, i cili është qëlluar me armë zjarri tek porta e banesës.
Ai është qëlluar me plumb në kokë.
Viktima ka disa mbiemra dhe po verifikohet nëse ka precedent të mëparshëm penal.
Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes dhe motivet e krimit, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit ose autorëve.
Policia ka dalë me deklaratë zyrtare për vrasjen e 40 vjeçarit në Laç.
Sipas bluve, rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Ilir Gjini, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure, rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

