Aktualitet
Telegram sekret në polici/ Nga agjentët te kontrollet, masat që pritet të zbatohen
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vijuar me porositë e tij ndaj vartësve, këtë herë me në fokus shkollat.
Policia e Shtetit ka shpërndarë një dokument për të gjitha drejtoritë vendore në vend, ku pranon se situata e drogës dhe armëve të ftohta pranë shkollave është kthyer në problem serioz sigurie.
Dokumenti, i firmosur nga Hita, ndalet në ngjarje të ndodhura brenda dhe pranë institucioneve arsimore gjatë vitit shkollor 2024-2025.
Nxënësit janë kapur me lëndë narkotike, armë të ftohta dhe sende të tjera të ndaluara, teksa ka pasur raste që kanë pasur pasoja.
Në dokument raportohet se strukturat policore nuk kanë siguruar informacion në kohë për shpërndarjen e drogës pranë shkollave, dhe nuk kanë organizuar kontrolle efektive, teksa kanë munguar edhe bashkëpunimi me drejtuesit e shkollave e oficerët e sigurisë.
Pikërisht për këtë arsye, drejtoria e përgjithshme urdhëron masa emergjente në të gjithë vendin.
Agjentë të policisë kriminale do të angazhohen pranë shkollave, do të ketë kontrolle të befasishme nga antidroga dhe forcat operacionale. Gjithashtu kërkohet kapja në flagrancë e personave që shpërndajnë drogë pranë institucioneve arsimore.
Në dokument kërkohet gjithashtu intensifikimi i metodave speciale të hetimit, teksa theksohet edhe përfshirja e strukturave të krimit ekonomik për të ndaluar shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit.
