✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Tentativa ndaj email-it të Dumanit/ SPAK tenderon 650 mijë euro për mbrojtjen kibernetike

SPAK ka hapur procedurën e prokurimit për blerjen e sistemeve të reja të sigurisë kibernetike, me një fond limit prej 64.6 milionë lekësh, rreth 650 mijë euro.

Procedura, me objekt “Sisteme për sigurinë kibernetike”, është shpallur më 5 tetor, ndërsa kompanitë e interesuara kanë afat deri më 5 nëntor për të dorëzuar ofertat.

Investimi vjen pas incidentit të sigurisë kibernetike ku u vunë në shënjestër llogaritë elektronike të disa prokurorëve të SPAK. Në të njëjtën çështje është raportuar edhe për një tentativë ndërhyrjeje në email-in e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Sipas raportimeve, nga incidenti u nxorën të dhëna, ndërsa SPAK ka deklaruar se nuk janë cenuar dosjet hetimore apo sistemet e brendshme të institucionit.

Në kuadër të hetimeve për ndërhyrjet e dyshuara të paligjshme në sistemet kompjuterike dhe komunikimet elektronike, janë marrë masa ndaj disa personave. Mes tyre janë Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjonaj, ndërsa hetimi ka përfshirë edhe ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.

Përmes tenderit të ri, SPAK synon të forcojë mbrojtjen e infrastrukturës së tij digjitale dhe të krijojë një sistem më të integruar për parandalimin dhe identifikimin e sulmeve kibernetike.

Dokumentet e procedurës parashikojnë pajisje dhe sisteme për monitorimin e sigurisë, kontrollin e aksesit dhe kufizimin e lëvizjeve të mundshme të një sulmi brenda rrjetit të institucionit. Investimi pritet të shërbejë si një shtresë shtesë mbrojtjeje për komunikimet dhe infrastrukturën digjitale të SPAK.

Advertisement