Kronike
Tentatoi të shiste droge pranë shkollave, arrestohet 26-vjeçari
Një 26-vjeçar nga Elbasani është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi dyshohet se tentonte të shiste dhe shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë edhe afër perimetrit të sigurisë së shkollave.
Operacioni policor, i koduar “Perimetri”, u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4.
Gjatë kontrollit fizik të shtetasit me inicialet Xh. M., policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Sipas hetimeve paraprake, droga dyshohet se ishte siguruar dhe ndarë në doza me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj.
Në momentin e kontrollit, 26-vjeçarit iu gjet gjithashtu një thikë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.