Bota
Tentoi të mbyste foshnjën për të cilën kujdesej, arrestohet 23-vjeçarja
Një babysitter 23-vjeçare nga Georgia u arrestua javën e kaluar me akuzën se i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore një foshnje për të cilën po kujdesej.
Sipas Law and Crime Network, autoritetet besojnë se Abby Elizabeth Chosewood u përpoq ta mbyste foshnjën duke ia shtrënguar fytin dhe duke e privuar atë nga oksigjeni.
Në njoftimin e arrestimit, Departamenti i Policisë së Glensville thotë se sulmi ndaj foshnjës në fillim të këtij viti “gati e vrau atë”.
Pas arrestimit të saj javën e kaluar e reja u dërgua në qendrën e paraburgimit, ku qëndroi gjatë fundjavës dhe u lirua me kusht të hënën.
Një oficer policie që foli për kanalin lokal theksoi se ishte një rast i vështirë me shumë pikëpyetje.
“Është e paimagjinueshme dhe nuk ka asnjë indikacion në këtë moment për arsyet e incidentit. Fëmija është padyshim shumë i vogël për të na treguar se çfarë ka ndodhur. Ai që e di se çfarë ka ndodhur është Chosewood, dhe shpresojmë se e vërteta do të dalë në gjykatë,” tha zëvendës polici Kevin Holbrook në një intervistë.
Siç tha ai, një nga elementët që e komplikoi çështjen dhe vonoi arrestimin është se familja e foshnjës nuk kishte në shtëpi një kamerë apo ndonjë pajisje tjetër vëzhgimi që mund të regjistronte sulmin ndaj fëmijës së tyre.
Kjo shpjegon edhe pse u deshën gjashtë muaj nga ngjarja deri në arrestimin e dados së re, pasi autoriteteve u duhej kohë e mjaftueshme për të mbledhur prova.
Kjo nuk është hera e parë që Chosewood është në telashe me ligjin, pasi e reja është arrestuar më parë për vjedhje dhe përdorim të një karte debiti.