Kosova
Tentoi t’u jepte 50 euro policëve për të shmangur gjobën/ Arrestohet shqiptari në Gjakovë
Një 36-vjeçar nga Tirana është arrestuar në Gjakovë, pasi dyshohet se tentoi t’u jepte ryshfet dy efektivëve të Policisë së Kosovës, të cilët e kishin ndaluar për një kundërvajtje në trafik.
Sipas mediave kosovare, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 17 gushtit, në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë. I dyshuari, i identifikuar si Glejdis Spahiu, po drejtonte një automjet BMW me targa shqiptare kur u ndalua nga një patrullë policie.
Gjatë kontrollit dhe dorëzimit të dokumenteve, 36-vjeçari dyshohet se u ka dhënë efektivëve një kartëmonedhë prej 50 eurosh. Sipas raportimeve, policët e kanë paralajmëruar se dhënia e parave përbënte veprim të kundërligjshëm, por ai dyshohet se ka këmbëngulur që efektivët t’i merrnin paratë.
Pas kësaj, Spahiu është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa kartëmonedha prej 50 eurosh është sekuestruar si provë materiale.
Rasti po hetohet nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë. Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës ka urdhëruar ndalimin e 36-vjeçarit për 48 orë.