Politike
Teoria e Bushatit: Smart City është një sistem për të përgjuar dhe shantazhuar çdo shqiptar
Andi Bushati u shpreh se pas tenderave miliona euro për projektin “Smart City” nuk fshihet vetëm një aferë e rëndë korruptive, por edhe ngritja e një sistemi të përgjimit masiv që synon të kontrollojë, monitorojë dhe shantazhojë çdo qytetar.
Bushati argumentoi se, përveç shpërdorimit të parave publike, qeveria po forcon një model autokratik përmes teknologjisë së mbikëqyrjes, duke e kthyer privatësinë e qytetarëve në një objekt kontrolli të pushtetit.
Ai theksoi se, vendosja e kamerave në të gjithë vendin dhe përdorimi i tyre nga një shtet patronazhist përbëjnë një kërcënim serioz për liritë individuale dhe demokracinë, duke e tejkaluar dimensionin e një skandali financiar dhe duke u shndërruar në një rrezik për çdo shqiptar.
‘Sado e dhimbshme që të jetë, këtu nuk ka… Besoj se të gjithë jemi të bindur se çdo tender që bëhet, bëhet për të vjedhur. Por këtu kemi një mëkat të dyfishtë. Jo vetëm që na vjedhin paratë, por po ndërtojnë edhe një sistem oruellian të përgjimit kolektiv.
Mjafton të shohësh, lëre çfarë u bëjnë gazetarëve, të cilët janë persona të njohur dhe kanë një lloj imuniteti, apo çfarë u bëjnë opozitarëve. Shikoni çfarë u bënë për 50 ditë me radhë këtyre fytyrave të reja që dolën në protestë.
Shteti i patronazhistëve ka ngritur një sistem që mund të shantazhojë çdo njeri, nga kritiku më i thjeshtë deri te ai që del kundër në shesh. Tani imagjinoni ta pajisësh këtë shtet edhe me një sistem perfekt përgjimi, si ai i Smart City-t.
Pra, përveç vjedhjes, këtu kemi një proces ku vjedhja ecën paralelisht me forcimin e autokracisë. Ta kontrollosh qytetarin deri në këtë pikë, në një vend ku, siç e dimë, kamerat i sheh Ergys Agasi ose njerëz të ngjashëm me të.
Në këtë mënyrë, çdo qytetari i hiqet privatësia dhe bëhet i shantazhueshëm nga aparati i një shteti diktatorial. Në këtë kuptim, kjo e tejkalon përmasën e një vjedhjeje gjigante dhe shndërrohet në një rrezik serioz edhe për privatësinë e secilit prej nesh.– u shpreh ai