Shkrime
Tërbimi para rënies/ Edi Rama në fillim të agonisë, ka hyrë në fazën e fundit të pushtetit
Nga Alfred Lela
Rama duket se ka hyrë në fazën e fundit të pushtetit, tërbimi para rënies.
Në një postim në X, një forum që e zgjedh për shpalljet më ceremoniale, në imitim të udhëheqësve perëndimorë, që janë përdorues të këtij rrjeti, disi më politik se argëtuesit Facebook dhe Instagram, Kryeministri paralajmëronte qëndresë, përkundër një sulmi të SPAK për mandatin parlamentar të zëvendëses së tij, B. Balluku.
Edi Rama shënon, me këtë të sotmin, llojin e tretë të sjelljes në raport më Prokurorinë e Posaçme sa u takon imuniteteve parlamentare: kundërshtues (me marrëveshje) në rastin Tahiri, mbështetës pa kushtëzime në rastet Berisha/Ahmetaj, dhe kundërshtues absolut në rastin Balluku.
Ai arriti një marrëveshje të tensionuar në këmbim të heshtjes së ministrit të tij të Brendshëm; Ahmetajn e lëshoi shpejt- me shumë gjasë si ‘kokë turku’ për t’i dhënë gjah dhe autoritet SPAK dhe në këmbim të mostrazimit personal.
Në rastin Balluku jemi para një Rame të shfytyruar në raport me drejtësinë e re. Dyshimi që lind nga kjo kthesë e fortë e Kryeministrit, më së pari lidhet me alarmin e një implikimi personal. Kjo mund të vijë për dy arsye: Balluku që ‘flet’ për të ruajtur veten, apo në këmbim të imunitetit (e penduar); apo kur, nga shpalosja e pistave dhe lidhjeve kontekstuale dhe faktike të elementëve të dosjes, del roli i tij në aferat korruptive për të cilat është marrë e pandehur Balluku.
Kundër një piste tjetër, të dytë, del vetë Rama me qëndrimet e tij. Mbani mend se, në Asamblenë e PS para dy vitesh, ai shpalli me një lloj krenie dhe vaniteti të çuditshëm se, nuk shqetësohej nga burgosjet e vartësve të tij, pasi ‘Partia Socialiste ka 800 mijë antarë”. Edi Rama po ripërdorte në një mënyrë, jo dhe aq simbolike, postulatin komunist ‘një bie, mijra ngrihen’. Kjo është për të thënë se ai, me rënien e Ballukut, nuk merakoset për emrin dhe trashëgiminë (legacy) politike të qeverisë dhe PS. Ai e sheh dhe e përjeton idenë e pushtetit si vullnet dhe fat personal. Në këtë kuptim ai ka të drejtë kur thotë se nuk është politikan.
Fundi politik është zakonisht fillimi i agonisë në raportin mes udhëheqësit dhe krijesave të tij, qofshin ato njerëzore apo institucione. Rama e hapi rubinetin e agonisë me Arben Ahmetajn, zëvendësin e parë që u largua nga Shqipëria duke kërkuar azil politik. Si çdo goditje të parë, ai arriti ta menaxhonte dhe, në arrogancë e sipër mendoi të njëjtën gjë edhe për Erion Veliaj, ‘birin politik’.
Pavarësisht mjeshtërisë që i mvesh vetes dhe shumë të tjerë e ndjekin, menaxhimi propagandistik i ‘çështjes Veliaj’ ishte skandaloz. I pafokusuar, me mesazh të mbivendosur dhe astrategjik, ky ishte rasti kur Rama, në përpjekje për të krijuar ngjarjet dhe prirë ato, u gjend në bisht të tyre. Veliaj, edhe pse i dërrmuar dhe tradhtuar, kishte lënë jashtë litarin e disa zëra mediatikë, krijuar në prehrin e favoreve apo miqësive, që i siguruan një mbrojtje publike për të qenë.
Rama, po vendoset edhe njëherë në bisht të ngjarjeve, sa i takon raportit me drejtësinë. Me arrogancën e atij që, para se të jetë politikan apo burrë shteti, në vanitet kërkon historinë, Rama ka deklaruar disa herë se nuk e kanë bërë amerikanët SPAK-un, por ai dhe PS. Sot, dyshimet dhe gossipi thonë krejt të kundërtën. Sido që të jetë, e ka bërë ai vetë dhe krijesa po i kthehet kundër, apo e kanë bërë ‘amerikanët e tij’ (të kohës Biden-Blinken-Kim), Edi Rama duket se do të flasë me një gjuhë, ton dhe ritëm tjetër për ‘drejtësinë e tij’. Amerikanët nuk janë të njëjtët, por karma është gjithmonë po ajo.
Atij i duhet të negociojë limitet e pushtetit. Nëse dorëzon pa luftë Belindën, në këmbim ajo mund t’i tregojë gijotinën. Nëse bën të kundërtën, të gjithë do t’ia lexojnë si tërbim. I gjendur para një lufte të re, ku kundërshtari nuk është politik dhe metodologjia nuk është ‘kapja e mbretit’ por ‘e tokës së djegur’ përreth tij, Edi Rama i hutuar do të pluskojë në përpjekjet për t’i dhënë dum gjendjes së re politike ku e futi babëzia zeusiane për të krijuar gjithçka dhe gëlltitur gjithçka.
Si një monark me Oborr të rënë, i duhet të zgjedhë mes një fati komik ose tragjik.