Bota
Tërmeti që tronditi Kolumbinë/ Të paktën 181 të vdekur dhe mbi 1,300 të plagosur
Vijojnë pa ndërprerje operacionet e kërkim-shpëtimit në Kolumbi, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi vendin mëngjesin e së hënës, më 10 gusht. Sipas të dhënave të fundit të Shoqatës së Kryeqyteteve të Kolumbisë (Asocapitales), numri i viktimave ka shkuar në të paktën 181 të vdekur, ndërsa mbi 1,310 persona janë plagosur.
Bilanci më i rëndë raportohet në Cali, ku janë regjistruar 95 viktima. Në Pereira janë raportuar 72 të vdekur, në Quibdó 9 dhe në Manizales 5. Ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet në rrënoja, ndërsa autoritetet janë në garë me kohën për të gjetur persona që ende rezultojnë të zhdukur. Shpresat janë që disa prej tyre të gjenden të gjallë nën ndërtesat e shembura.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, tërmeti u regjistrua rreth orës 07:34 të mëngjesit, me epiqendër pranë San José del Palmar, në departamentin Chocó, dhe me një thellësi fokale prej rreth 103 kilometrash. Lëkundjet e forta u ndjenë në një pjesë të madhe të territorit kolumbian. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Kolumbisë (SGC), pas tërmetit kryesor janë regjistruar më shumë se 40 lëkundje pasuese.
Shkencëtarët paralajmërojnë se aktiviteti sizmik mund të vazhdojë për ditë, javë apo edhe muaj, pasi energjia e akumuluar në zonën e çarjes vazhdon të çlirohet gradualisht. Pereira, Cali dhe Quibdó janë ndër zonat më të prekura. Qindra ndërtesa, përfshirë banesa, shkolla dhe spitale, janë dëmtuar rëndë ose janë shembur, duke shkaktuar një situatë të rëndë humanitare.
Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe koordinimin e operacioneve të shpëtimit, ndërsa numri i viktimave dhe i personave të zhdukur mund të ndryshojë në orët në vijim.