Bota
‘Thahet’ mjegulla/ Ky është plani real i paqes që SHBA i ka propozuar Ukrainës – 28 pika që ndryshojnë gjithçka
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko pretendon se ka siguruar versionin e plotë të planit të paqes që administrata amerikane i ka dorëzuar Kievit.
Dokumenti përmban shtatë shtylla kryesore me 28 pika në tërësi dhe, sipas tij, paraqet kushtet më të detajuara deri tani për një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës.
Më poshtë përmbledhja e atyre që ai i quan pikat kyçe të planit, por ku nuk përfshihen të gjitha pikat e planit sipas formatit tërësor.
- Statusi i Ukrainës
Ukraina duhet të mbetet përgjithmonë jashtë NATO-s, dhe kjo të shkruhet në Kushtetutë.
Forcat e Armatosura do të kufizohen dhe vendi nuk mund të ketë status bërthamor.
SHBA-të ofrojnë garanci sigurie, por jo të pakushtëzuara.
- Territoret
Krimea, Donetsku dhe Luhansku njihen de facto si pjesë e Federatës Ruse.
Khersoni dhe Zaporizhzhia mbeten të ngrira përgjatë vijës aktuale të frontit, ndërsa krijohet një zonë e demilitarizuar nën kontroll faktik rus.
- Rusia
Moska detyrohet të nënshkruajë një marrëveshje për të mos sulmuar sërish Ukrainën dhe të marrë një angazhim ligjërisht të detyrueshëm.
Rusia kthehet gradualisht në formatin G8 dhe sanksionet hiqen hap pas hapi.
- Çfarë merr Ukraina
200 miliardë dollarë për rindërtimin, përfshirë 100 miliardë nga asetet ruse të ngrira.
Termocentrali bërthamor i Zaporizhzhias rikthehet në funksion nën mbikëqyrjen e IAEA-s, me shpërndarje të energjisë 50/50.
SHBA-të dhe BE-ja ofrojnë investime strategjike dhe krijohet një Fond Zhvillimi.
- Humanitare
Zbatim i shkëmbimit “të gjithë për të gjithë” për robërit e luftës dhe rikthimi i fëmijëve të marrë nga Rusia.
- Politika e brendshme
Zhvillimi i zgjedhjeve brenda 100 ditëve pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe amnisti e përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit në luftë.
- Mbikëqyrja dhe zbatimi
Krijohet një “Këshill Paqeje” i drejtuar nga Donald Trump që mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes.
Çdo shkelje sjell rikthim automatik të sanksioneve.
Marrëveshja kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe rikthim të trupave në pozicionet e dakorduara.
Pretendimet e Goncharenkos nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Washingtoni apo Kievi, por përmbajtja e dokumentit përputhet me linjat e përgjithshme të raportuara nga mediat amerikane mbi draftin e planit të paqes.
Nëse vërtetohet, dokumenti paraqet kompromiset më të mëdha që Ukraina do të duhej të pranonte që nga fillimi i luftës – dhe një ndryshim të thellë në arkitekturën e sigurisë evropiane.