Connect with us

Aktualitet

The Telegraph vë alarmin: “Epidemi” shqiptarësh që punojnë në fermat e kanabisit

Një “epidemi” e fermave të kanabisit ka çuar në një rritje të numrit të shqiptarëve të burgosur. Kjo zbulohet në një investigim të gazetës britanike “The Telegraph”. Sipas saj, më shumë se 100 emigrantë të paligjshëm shqiptarë janë dënuar me më shumë se 300 vjet burg në vetëm 3 muaj pasi u rekrutuan nga bandat e krimit të organizuar për t’i shërbyer numrit në rritje të shpejtë të fermave të kanabisit.

Tre të katërtat (77 persona) të 101 shqiptarëve të burgosur nga gushti në tetor të këtij viti u dënuan për vepra të lidhura me prodhimin e kanabisit të prodhuar nga bandat në të gjithë Anglinë dhe Uellsin. Numri i dënimeve është katërfishi i normës normale për shqiptarët. Shumë nga emigrantët e paligjshëm u rekrutuan nga bandat pasi një aksion i qeverisë ndaj punës në të zezë e bëri të vështirë për ta gjetjen e një pune.

Qeveria ka 3-fishuar gjobat për pronarët që punësojnë emigrantë të paligjshëm deri në 60 mijë £ për një punëtor të tillë. Kjo lëvizje kishte si synim ta bënte praktikën aq të dëmshme ekonomikisht saqë mund t’i “linte emigrantët jashtë këtyre bizneseve të ligjshme”. Gjithashtu, një operacion policor që synonte fermat e kanabisit këtë verë bëri që të kapen deri në 130 milionë paund bimë kanabisi dhe të arrestohen pothuajse 1 mijë njerëz. Më shumë se 180 mijë bimë u zbuluan nga bastisjet në Angli dhe Uells.

Operacioni “Mille” shënjestroi kulturat e paligjshme për të cilat policia beson se janë një “fabrikë parash” për bandat e krimit të organizuar që janë gjithashtu të përfshira në vepra të tjera, si pastrimi i parave, kontrabanda e drogave të forta dhe dhuna.

Në 5 vitet e fundit, bandat shqiptare kanë shtënë në dorë tregun e kultivimit të kanabisit, duke parakaluar vietnamezët pasi importuan nga Shqipëria në Britaninë e Madhe ekspertizën e tyre të rritjes së bimëve dhe duke përdorur emigrantët e paligjshëm si “kopshtarë”.

Numri i shqiptarëve që kaluan Kanalin në vitin 2022 me varka të vogla u rrit në 12 301 nga 800 që ishte në 2021. Kjo ishte më shumë se një e katërta e 45 755 personave në total që mbërritën në vend.
Mes të burgosurve këtë verë ishte edhe Nard Nidri, 34 vjeç, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar verën e kaluar dhe jetoi në Birmingham dhe më pas u transferua në Swansea ku punoi në një lavazh makinash përpara se të rekrutohej për një fermë kanabisi.

Ai ishte një nga 4 “kopshtarët” e burgosur për një total prej 6 vjetësh në gusht, pasi policia i arrestoi ata në një banesë në Neath, në Uellsin jugor, ku dy dhoma dhe një papafingo ishin përshtatur dhe izoluar për të rritur bimë me vlerë në rrugë prej 85 mijë £.

Duke i dënuar ata, gjykatësi Geraint Walters tha se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga bandat kriminale shqiptare kishin arritur “nivele epidemike” dhe, sipas gjykimit të tij, “ishin kthyer në një industri”.

Ai sugjeroi që autoritetet duhet të shikojnë sektorin e banesave me qira, duke vënë në dukje se ndërsa të ashtuquajturit “fermerë” të kanabisit shpesh paraqiteshin në gjykatë, pronarët dhe të tjerët që merrnin para nga qiraja e pronave që përdoreshin për kultivimin, rrallë e bënin këtë.

Shumë shqiptarë të tjerë kanë punuar për bandat për të shlyer borxhet. Artenis Shehu, 20 vjeç, u burgos për 1 vit pasi punoi në një fermë kanabisi në Norfolk Broads për të pastruar atë që ai pretendonte se ishte një borxh prej 2500 £ që kishte tek një bandë e krimit të organizuar për të paguar një operacion mjekësor për babain e tij.

Gjykatësi Andrew Shaw i tha Shehut se shtëpia e kanabisit prej 225 mijë £ ishte një “organizim i sofistikuar” i cili kishte “të gjitha shenjat” e “krimit serioz dhe të organizuar”. “Duhet të dalë mesazhi se shfrytëzimi nga kriminelët nuk është një kartë për të dalë nga burgu” – tha ai.

Bandat shqiptare e zhvendosën fokusin tek kanabisi sepse ishte “me rrezik shumë, shumë të ulët” si dhe rezultonte të kishte një fitim të mirë për shkak të kërkesës së lartë. Britanikët konsumuan 240 ton kanabis me vlerë 2.4 miliardë paund në vitin 2021. Kjo nuk kërkonte as transport të rrezikshëm ndërkufitar sepse rritej në shtëpi.

Këtë javë, James Cleverly, Sekretari i Brendshëm, nënshkroi një marrëveshje të re me Shqipërinë për të mbështetur marrëveshjen e shpejtë të dëbimit dhe kundër imigracionit, e cila ka parë që numri i kalimeve nga shqiptarët të reduktohet me 90% këtë vit.

Aktualitet

Kryepiskopi Anastas uron Pashkët: Të mposhtim hidhërimet me fuqinë e Ngjalljes

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët ortodoksë në prag të Pashkëve.

Ngjallja e Krishtit kulmon këtë vit në mesnatën mes 4 dhe 5 majit për besimtarët ortodoksë që gjenden në javën e Madhe dhe të Shenjtë. Në përkujtimin e vuajtjeve të Jisu Krishtit dhe kryqëzimin e më pas Ngjalljen, Kryepiskopi Anastas vë theksin te konfliktet në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.

Kryepiskopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, ‘të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë’, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Mesazhi i plotë:

Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Mposhtja E Hidhërimeve Me Fuqinë E Ngjalljes

“Të njoh atë me fuqinë e Ngjalljes së tij” (Fil. 3:10)

Ηimni ngjallësor: “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…”, ende kumbon ngadhënjyes dhe ngushëllues në mes të errësirës së melankolisë, të shkaktuar nga ngjarjet e dhimbshme në Ukrainë, Gazë, Sudan, Haiti dhe në vende të tjera të botës, madje edhe këtu, në mjedisin tonë, të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë. Ne e dimë se jemi të brishtë, që e mbajmë “këtë thesar (të besimit) në enë prej balte” (2 Kor. 4:7-8), por kjo ndodh “që të dalë në pah se kjo fuqi tejet e madhe vjen nga Perëndia, jo nga ne”.

Periudha e Pashkës, me një mënyrë të veçantë dhe përmes një përjetimi personal, na fton t’i afrohemi Krishtit, që pëson dhe ngjallet: “Që ta njoh atë dhe fuqinë e Ngjalljes së tij, të marr pjesë në pësimet e tij dhe të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Dy të vërteta na e ndriçojnë udhën drejt një marrëdhënieje më të ngushtë me atë që pësoi dhe u ngjall: Pranimi për të marrë pjesë në pësimet e Tij dhe të qenit i ngjashëm me të në vdekjen e Tij. E kemi theksuar edhe herë tjetër se Ngjallja nuk është diçka që vjen më vete, që vjen pas Kryqit, por gjendet brenda Kryqit, brenda pësimit, kur e pranojmë atë ashtu siç e pranoi edhe Krishti. Dhe anasjelltas, përjetimi i Ngjalljes kërkon gjithnjë si kusht paraprak të bëhemi të ngjashëm me Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur.

Kjo pjesëmarrje në Pësimet dhe Ngjalljen e Tij forcon qëndresën tonë, në mënyrë që të mos na përpijë depresioni dhe dëshpërimi. Himni triumfal themelor, që kumbon fort brenda nesh – “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli…” – është shpallja kryesore e besimit të krishterë orthodhoks dhe përmbledh domethënien më të thellë të Mishërimit të Birit dhe Fjalës së Perëndisë. Këtë përvojë të dyfishtë, të Kryqit dhe të Ngjalljes, e përjetojnë dëshmorët e Kishës sonë ndër shekuj. Edhe ne “le të ecim me durim në betejën që na pret, duke soditur Jisuin, që është kreu i besimit tonë dhe ai që e bën atë të përsosur” (Heb. 12: 1-2).

Duke lavdëruar me mirënjohje Perëndinë Triadik gjatë periudhës paskale, le ta shtojmë përpjekjen tonë, në mënyrë që ta përjetojmë këtë bindje dhe le të përçojmë ngushëllim në mjedisin tonë me dhembshuri.

Krishti u Ngjall, vëllezërit e mi!

Pashkë të bekuara, me shëndet, durim dhe mendësi kryqngjallësore!

Continue Reading

Aktualitet

Ermal Hasimja: Dyshimi i madh, skenari kush mund të marrë në dorë drejtimin e Shqipërisë

Analisti Ermal Hasimja ka komentuar situatën politike në Shqipëri dhe rolin e SPAK.

Sipas tij  sistemi politik në Shqipëri ka një logjikë shumë të brishtë. Mes tjerash ai tregoi dyshimin që ka për të ardhmen e Shqipërisë.

“Mentaliteti i popullit shqiptar është i tillë. Në momentin që të sheh se bie nga fiku aty të shkel më këmbë. Ky është një sistem që funksionon brenda kësaj logjike që është shumë e brishtë.

Mund të ndodh që të ketë diçka të fortë ndaj sistemit të drejtësisë dhe mund të ketë një bërthamë që ndoshta në të ardhmen funksionojnë realisht. Në këtë  vend që është Shqipëria terreni për dyshime është jashtëzakonisht pjellor”-tha Hasimja.

Continue Reading

Aktualitet

Axhami: Filozofia Zogiste në kohë moderne, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”

PARTIA LËVIZJA E LEGALITETIT ALTERNATIVË E DJATHTË ME PLATFORMË ELEKTORALE BINDËSE:
Gjatë një interviste në NTV-me gazetarin e mirënjohur Red VARAKU, ndër të tjera.
👉Partia Lëvizja e Legalitetit, hap pas hapi, në pregatitje të infrastrukturës për marrjen pjesë në zgjedhjet e ardhshme si një alternativë e djathtë me platformë elektorale të qartë bindëse.
👉Të kthejmë krenarinë kombëtare nëpërmjet forcimit të institucioneve shtetërore brenda një shteti të fortë të së drejtës ligjore, kryerjes së reformave që rrisin nivelin e shërbimeve në interes të qytetarve si dhe të forcojmë bashkëpunimin unifikues të çdo faktori rajonal shqiptar në interes të bashkimit kombëtar.
👉Filozofia Zogiste në kohë moderne;
Me besim në Zot, ku primara mbetet Familja, prona, Atdheu dhe Kombi, nën moton “Atdheu mbi të gjitha”, në Shqipëri bërja e shtetit të së drejtës bëhet lehtësisht me një sistem qeverisës Monarki Kushtetuese.
👉Mbreti Zog, burrështetas, strateg, diplomat dhe politikan shumëdimensional, i rrallë në llojin e vet, i cili Shpalljen e Pavarsisë e ktheu në realitet duke u bërë shtetformuesi i shtetit të parë modern shqiptar nën moton “Atdheu Mbi të Gjitha”
Mbreti Zog dhe trashigimtarët e Kurorës Mbretërore, Mbreti Leka dhe sot Princ Leka, gjithmonë në plan të parë kanë vënë interesin kombëtar ku Shqipërinë dhe shqiptarët i kanë parë NJË dhe të bashkuar si komb, ata mbeten unifikuesit e kombit tonë në më të mirën e mundshme sipas çdo të drejte.
Continue Reading

Aktualitet

Vdekja e mistershme e të moshuarve në Dropull, lirohen personat e shoqëruar në polici

Ditën e sotme, u përcollën në banesën e fundit, dy të moshuarit që u gjetën të vdekur dhe me shenja dhune në banesën e tyre. Të afërmit e ardhur nga Greqia dhe bashkëfshatarët në Bodrisht të Dropullit i dhanë lamtumirën e fundit Kosta Ilia, 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, e cila vijon ende e pazbardhur, policia ka shoqëruar mbi 10 persona. Ndërkohë pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Disa pista hetimi janë ngritur për vdekjen e tyre, ku deri tani, nga policia dhe prokuroria është lënë në hije pista e një grabitje të mundshme. Kjo pasi edhe pensioni që i moshuari kishte marrë pak ditë më parë në Greqi iu gjet në portofol. Gjithashtu është hedhur poshtë dhe versioni se çifti mund të ketë vrarë njëri- tjetrin.

Kryefamiljari i cili kishte marrë një plagë në kokë kishte ndërruar jetë në oborrin e shtëpisë ndërsa pak metra larg tij, në brendësi të banesës u gjet e vdekur edhe bashkëshortja gjithashtu me shenja dhune në trup. Sipas policisë të moshuarit u goditën me mjete të forta rrethanore por burime thanë se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë mjet i tillë. Për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, grupi hetimor është rikthyer sërish në banesën e të moshuarve. Ekspertët kriminalist janë në pritje të ekzaminimeve të disa provave materiale të marra në brendësi të banesës së çiftit të viktimave.

Continue Reading

Aktualitet

E pazakontë/ Mjeti përplas biçikletën, motorin, makinën, këmbësorin dhe përfundon në lavazh

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar këtë të premte në rrugën e ish-Kënetës që lidhet me Unazën e qytetit të Durrësit.

Mësohet se një automjet, i cili po udhëtonte me shpejtësi ka humbur kontrollin duke kaluar trafikndarësen e rrugës për të përfunduar në krahun e kundërt.

Gjatë devijimit, automjeti fillimisht ka aksidentuar një biçiklist, një këmbësor, një motor dhe një automjet të parkuar, për t’u përplasur më pas me fasadën e një lavazhi automjetesh.

Burime bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spital, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident nuk kanë lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët teksa kanë rrethuar vendin e aksidentit deri në përfundim të hetimit, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING