Connect with us

Aktualitet

‘The Times’: Eksodi i shqiptarëve po i lë shkollat ​​bosh

Në këndin e lojërave të shkollës prej betoni në Kukës, rajoni më i varfër i Shqipërisë, adoleshentët qëndrojnë në një rreth, me çantat e shpinës të vendosura pas një muri me tulla të shkatërruar. Kohët e fundit, për shkak të numrit të paprecedentë të vendasve që shkojnë në MB, shumë prej tyre fëmijë, rrethi i tyre është bërë më i vogël. Vjollca Gashi, drejtoresha e shkollës, një grua e shkurtër me flokë kafe dhe e veshur me një pallto, ulet në një zyrë duke u përpjekur të shprehë verbalisht epideminë me të cilën po përballet shkolla.

“Fëmijët tanë po zhduken, papritmas lënë shkollën në mes dhe shkojnë në Angli. Dikur kishim 1500 nxënës, tani kemi 1050. Gjatë tre viteve të fundit, 200 nxënës kanë shkuar, duke lënë në mes vitin e fundit. Ndonjëherë fëmijët që largohen janë shumë të rinj, vetëm 15 vjeç. Të gjithë njohin dikë që është tashmë në Angli dhe kjo e bën edhe më të lehtë përshtatjen e tyre me vendin e ri, pasi kanë dikë që i pret,”- tha ajo.

Shkollat e mesme janë një emblemë për krizën që po përfshin vendin dhe pasojat që janë ndjerë këtë javë në Britani, ndërsa qendrat britanike të trajtimit të migracionit luftojnë me numrat në rritje të shqiptarëve që zbarkojnë në territorin britanik. Të dhënat më të fundit, nga maji deri në shtator, tregojnë se 42% e emigrantëve që kalonin La Manche me gomone ishin shqiptarë dhe thuajse të gjithë ishin burra.

Dan O’Mahoney, zyrtar britanik që merret me emigrantët e paligjshëm nga kanali i La Manche, u tha deputetëve muajin e kaluar se deri në 2 për qind e popullsisë mashkullore të Shqipërisë nga mosha 20 deri në 40 vjeç, kishte udhëtuar për në Britani me gomone.

“Fëmijët krejt papritur nuk paraqiten në shkollë. Kur kontaktojmë me familjet nuk na përgjigjen. Situata është e keqe dhe ne nuk kemi një shkop magjik për të ndryshuar gjërat. Mundësitë e punësimit në zonë janë disa fabrika fasone, por të rinjtë nuk i preferojnë këto punë. Pagat janë shumë të ulëta dhe ata mund të fitojnë pesë herë më shumë në Britani,”- shprehet zonja Gashi.

Duke parë shkollën, është e lehtë të kuptosh pse nxënësit duan të largohen, ndërsa vendi ende nuk po arrin të ndjejë efektet e çlirimit nga një diktaturë komuniste. Pavarësisht se është një shkollë e madhe, nuk ka laboratorë shkencorë, ambiente sportive apo instrumente muzikore, por vetëm 15 kompjuterë për nxënësit.

Mund të përmendim rastin e një nxënësi, i cili nga 35 kushërinj që ka gjithsej, 31 prej tyre kanë emigruar në Britani. Një nga studentët, Fabio Cengu, 13 vjeç, ka veshur një hoodie me një foto në pjesën e përparme të mbretëreshës së ndjerë. Ai qëndron përballë një dyqani aplikimesh për viza, i cili ka një foto të Pallatit të Westminsterit, një kuti telefonike të kuqe tipike londineze dhe Syrin e Londrës në sfond. Cengu mban në dorë një iPhone 12, me vlerë rreth 800 £, për të cilin thotë se ishte dhuratë nga vëllai i tij, 23 vjeç, i cili punon në një lavazh në Birmingham.

“Dua të vij në Angli për të qenë me vëllain tim, i cili shkoi atje pesë vjet më parë. Është një mundësi për një jetë më të mirë,”- thotë ai.

Miqtë e Cengut shprehen gjithashtu se dëshirojnë pafund të shkojnë në Britani, ndërsa shtojnë se anglishtja është lënda e tyre e preferuar në shkollë. Kjo pasi do tu lehtësojë jetën kur të shkojnë në Angli.

I emocionuar, Cengu flet për reperët e tij të preferuar shqiptarë, një grup i quajtur Hellbanianz, të cilët tani jetojnë në Londër dhe mburren me aktivitetin e tyre banditeskt, në videoklipet e tyre.

Janë këto video muzikore si dhe klipet në aplikacionin e rrjeteve sociale TikTok, që drejtuesit e arsimit si Gashi besojnë se po inkurajojnë një numër kaq të madh të rinjsh që të shkojnë në Angli. Prej atyre ikin dhe prej atyre kapen e depërtohen. Një 35-vjeçar, i cili tha se ishte dëbuar nga Britania e Madhe tre herë, këmbëngul.

“Për pesë vite Shqipëria do të boshatiset. Të gjithë do të jetojnë në Britani”, tha ai.

Djali, i cili thotë se ishte në burg për katër vjet, pretendon se u kap në Mbretërinë e Bashkuar nga inspektorët e imigracionit ndërsa punonte në një lavazh në Birmingham. Miku i tij, i cili ka shqiponjën e flamurit shqiptar të bërë tatuazh në dorën e tij të majtë, sapo ishte deportuar pasi kishte hyrë në Britani me një kamion pas një pagese prej 10,000 £.

“Duhet të kthehem. Unë do të gjej një mënyrë. Në Britani fitoja 1200 £ në muaj. Në Shqipëri marr 200 £, por çdo gjë kushton njësoj, si nafta dhe ushqimi. Dy vitet e para që punova në Britani ishin për të paguar borxhin tim ndaj personit që më dërgoi atje. Kam jetuar në Hayes, në perëndim të Londrës dhe gjithashtu në Barking, në lindje të Londrës. Ishte shumë e vështirë sepse Home Office nuk i jepte mamasë time vizë për të ardhur dhe për të më vizituar. Zyra e Brendshme mendoi se ajo nuk do të kthehej. Nuk e pashë gjatë gjithë kohës që isha në Britani. Shokët e mi janë larguar të gjithë. Unë nuk mund të qëndroj në Shqipëri. Nuk mund të jetoj në mes të askundit e të pi kafe me mamin tim,”- tha ai.

Njëri nga ata tregon me gisht nxënësit.

“Ata të gjithë duan të vijnë në Angli. Nuk ka asgjë këtu për ne përveç deleve”, tha ai.

Brenda shkollës ‘Qazim Shehu’, drejtori Izmir Muja rrëfen se si katër nxënës 17-vjeçarë, të gjithë nga e njëjta klasë janë “zhdukur” së fundmi.

“Është shumë e vështirë për shokët e klasës dhe mësuesit. I kam pyetur prindërit se ku janë, por nuk më kanë thënë. Ne dyshojmë se ata janë në Britani. Në momentin kur njëri shkon, u tregon nxënësve të tjerë se edhe ata mund të ndjekin të njejtën rrugë. Shumë problem janë videot në mediat sociale që inkurajojnë të tjerët t’u bashkohen atyre. Ata mendojnë se Britania do të jetë një parajsë,”- tha ai.

Më në jug, The Times vizitoi një shkollë në Zall-Torre e cila u mbyll këtë vit sepse nuk kishte nxënës mjaftueshëm. Fshati me rreth 63 shtëpi mund të arrihet vetëm duke ecur me kilometra përgjatë një rruge të pa asfaltuar. Henki Torra, 10 vjeç, tani duhet të udhëtojë në një fshat dhjetë milje larg për të shkuar në shkollë.

“Është e trishtueshme sepse shkolla ishte ndërtesa kryesore në fshatin tonë. Mësuesi ishte si pjesë e familjes. Ai kishte punuar këtu për 13 vjet. Kur të rritem do të doja të shkoja edhe jashtë vendit. Shumë familje në fshat janë larguar”, tha ai.

Pak më shumë se një orë larg, në Griqan, situata është bërë aq e keqe sa në një shkollë ka vetëm një nxënës në njërën nga klasat. I ulur në një zyrë pas një kompjuteri të shtrenjtë Apple Mac dhe me një statujë të kullës së Big Benit në tavolinë, me një orë Rolex prej ari, kreu i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, thotë se njerëzit po rrezikojnë jetën e tyre në gomone për të shkuar në Britani dhe kur arrijnë atje, zbulojnë se nuk është aspak ashtu siç u është premtuar në videot e mediave sociale.

“Britania duhet ta bëjë më të lehtë marrjen e vizës dhe atëherë njerëzit do të jenë më pak të prirur për të shkuar atje ilegalisht. Vendi është i dëshpëruar për punëtorë që nga Brexit, shqiptarët do të ishin shumë të mirë në përmbushjen e këtyre roleve. Më pas, pasi të jenë trajnuar, duhet të kthehen në vend për të ndarë atë njohuri”, tha ai.

Këtë javë, kryeministri Edi Rama, tha se ishte “çmenduri” t’i fajësosh ata si shkaktarë të krimit në Britani dhe problemeve kufitare. Megjithatë, statistikat tregojnë se shqiptarët përfaqësojnë tashmë përqindjen më të lartë të shtetasve të huaj në paraburgim. Vitin e kaluar kishte më shumë se 1500 shqiptarë në burgje në Angli dhe Uells.

Pavarësisht se Ministria e Brendshme e konsideron Shqipërinë një vend të sigurt, 53% të emigrantëve shqiptarë iu dha azil, shumica e kësaj shifre përbëhet nga gra. Në Gjermani, ku shqiptarët e kanë më të lehtë të marrin viza pune, asnjë emigranti shqiptar nuk iu dha azil vitin e kaluar.

Marrë dhe përshtatur nga The Times

Aktualitet

Trondit dedektivi: Nëna fuste klientë në shtëpi dhe bënte s*ks në sy të fëmijëve

Në vendin tonë numërohen gati 200 dedektivë të licencuar, një profesion i lirë, i rregulluar me ligj, që në vitin 2014. Po përse i kërkojnë më shumë hetuesit privatë shqiptarët?

Ndue Pjetra, avokat dhe njëkohësisht edhe dedektiv privat, tregon për Tch se veç tradhtive, dedektivë punësohen edhe për të parë se si funksionon mbajtja e fëmijëve pas vendimit të gjykatës.

Ai tregoi edhe një rast kur një nënë e divorcuar, fuste klientët në shtëpi dhe bënte dashuri me ta në sy të fëmijëve dhe sipas tij, sërish gjykata nuk e mori parasysh këtë fakt dhe ia la përsëri fëmijët nënës.

“Dedektivët sot në Shqipëri kërkohen në zgjidhjet e martesave, për të parë me kujdes si funksionon pas vendimit të gjykatës, mbajtja e fëmijëve. Kur gjykata i jep kujdestarinë nënës apo babait dhe ata nuk i kanë kushtet pavarësisht se i kanë marrë më mënyra të tjera kujdestarinë.

Rastet janë të tmerrshme, janë gjetur në shtëpinë e nënës, në sytë e fëmijëve duke futur klientë brenda, duke bërë dashuri me ta në kundërshtim me çdo lloj norme dhe gjykata përsëri nuk i ka marrë parasysh, duke ia lënë fëmijët nënës.

Tradhtitë kanë rënë, ishin një fillim një ‘boom’ por përsëri janë bashkë dhe harxhonin kot ato lekë. Më shumë e kërkojnë të moshave mbi 50 vjeç, thonë burri im ka pasur një sekretare në atë kohë a takohet më, histori nga më të tmerrshmet dhe më të çuditshmet”, shprehet Ndue Pjetra, Dedektiv, Avokat

Continue Reading

Aktualitet

Turi çiklistik Tiranë-Korçë/ Evitoni qarkullimin në këto akse, përdorni rrugë alternative (DETAJE)

Policia e Shtetit/ Policia e Shtetit, në kuadër të masave për sigurimin dhe mbarëvajtjen e turit të 81-të çiklistik të Shqipërisë, i cili zhvillohet në 4 etapa, me itinerar të përgjithshëm 723 km rrugë për kalim publik, kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për shmangien e rrugëve ku zhvillohen garat çiklistike.

Duke qene se aktiviteti çiklistik zhvillohet në disa nga akset kryesore kombëtare me frekuentim të lartë, per rrjedhoje edhe masat e sigurisë nga organizatorët dhe nga Policia e Shtetit do të jenë të larta, në raport me nevojën per garantimin e sigurise se pjesëmarrësve ne këto gara.

Aktviteti çiklistik starton me etapën e parë, ne orën 12.00 të datës 20.05.2024, nga sheshi “Skenderbej”, Tiranë dhe përfundon në Korçë. Etapa e dytë starton në orën 12.00 të datës 21.05.2024, nga Korça dhe përfundon në Elbasan. Etapa e tretë starton në orën 12.00 të datës 22.05.2024, nga Elbasan-Kuçovë-Ura vajgurore-Lushnjë dhe përfundon në Vlorë.

Etapa e katërt starton në orën 12.00 të datës 23.05.2024, nga Vlora-Lumi i Vlorës-Himarë dhe përfundon në Llogara. Etapa e pestë dhe e fundit starton në orën 10.00 të datës 24.05.2024, nga Vlora dhe përfundon në Fier. Me qëllim shmangien e vonesave që krijohen në trafik, për shkak të masave të sigurisë, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithe perdoruesve të rruges, qe në itineraret dhe oraret e garave, të evitohet në maksimum qarkullimi me mjete, si dhe të përdoren rrugë alternative.

Continue Reading

Aktualitet

Pas taksimit, profesionet e lira synojnë transferimin e bizneseve drejt Kosovës dhe Estonisë

Nga kontabilistët, audituesit, ekonomistët e deri tek inxhinierët IT, agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme, avokatët janë grupet që presin efekte negative në aktivitet nga zbatimi i ligjit të ri

Eduard Milushi, me profesion inxhinier software në pamundësi ekonomike për të përballuar parapagimin e tatimit me vlerë 1,250 euro/muaj, e llogaritur nga administrata tatimore, sipas deklarimeve të 2023, po shqyrton mundësinë e transferimit të biznesit të tij në Kosovë ose drejt Estonisë.

“Nga 20 ditë punë në muaj, pavarësisht se një i vetëpunësuar është natë-ditë në punë, ndryshe nga një i punësuar me orare fikse, 10 ditë duhet të punoj për shlyerjen e detyrimit prej 1,250 euro në muaj dhe 10 ditë për shpenzimet.

Pra të bëj një punë që nuk më siguron fitim. Për këtë arsye, po studioj mundësinë e hapjes së një NIPT-i biznesi në Kosovë ku tatimi është 10% apo në Estoni, ku ofrohen lehtësi fiskale”.

Eduardi ngre shqetësimin se me ligjin e ri, të ardhurat e tij janë taksuar 100%. Ai shpjegon se pavarësisht se shpenzon një vlerë të konsiderueshme të të ardhurave në funksion të punës, e ka të pamundur të dokumentojë shpenzimet nga platformat e huaja online për të cilat kryen shërbime.

“Me ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, jam tatuar 100% për të ardhurat e deklaruara, pasi kam deklaruar zero shpenzime, duke qenë se nuk kisha përgjegjësi tatimore.

Edhe sikur të doja t’i deklaroja shpenzimet, me natyrën e punës që bëj, e kam të pamundur t’i dokumentoj nëpërmjet faturave. Mbi 90% të shpenzimeve i kam online për shërbime marketingu në Google, për hosting në platformën Amazon, apo Instagram.

Asnjë prej këtyre platformave nuk i lëshon faturë me NIPT Shqipërinë. Sërish e kam kërkuar te këto platforma lëshimin e faturave për njohjen e shpenzimeve, të gjithë kanë pohuar se nuk kanë marrëveshje për lëshimin e tyre me Shqipërinë”, pohon ai.

IT është një sektor që kërkon që bizneset të jenë në koherencë përditësimi me inovacionin, me qëllim që të mbeten në treg. Për rrjedhojë, një pjesë e madhe e të ardhurave sipas Milushit profesionistët IT i shpenzojnë për kurse online apo pagesash për përdorimin e aplikacioneve të reja.

“Përdorimi i modelit të thjeshtë të ChatGPT minimalisht kushton 20 euro në muaj. Në punën time përdor ChatGPT për të gjeneruar modele marketingu dhe shpenzoj 200-300 euro në muaj.

Pagesa për domain-et është 12 euro në muaj. Unë disponoj 30 copë. Kosto mesatare prej 50 euro në muaj është për 1 server, ku mbahen të dhënat dhe aplikacionet e klientëve për përdorimin e web server. Unë zotëroj 10 servera.

Me profesionin që bëj edhe njohja e shpenzimeve apriori prej 30% të përcaktuara në ligj nuk më shërbejnë, pasi janë më tepër sesa aq”.

41-vjeçari i vetëpunësuar si profesionist IT thotë se është në pritje të vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese për të bërë hapat vendimtarë.

Deri tani, ligji i ri është ankimuar katër herë në Gjykatën Kushtetuese. Fillimisht në muajin shkurt nga grupi parlamentar i PD-së, një tjetër padi në muajin mars u dërgua nga kontabilistët dhe audituesit (IKM dhe IEAKA), më pas u ankimua masivisht nga 400 profesionistë të ndryshëm.

Padia e katërt u depozitua nga Shoqata e Autoshkollave. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar më 18 Qershor mbajtjen e seancës së parë së shqyrtimit të 3 padive të para.

Rishikimi i kësteve apo ndryshimi i normës tatimore nga Gjykata Kushtetuese mbeten shpresa e vetme për një sërë biznesesh, të cilët pohuan se po përballen me vështirësi ekonomike (75% të të anketuarve, ndërsa vetëm 25% thanë që kishin mundësi për të paguar) dhe të papërgatitur për të parapaguar tatim 1,000 apo 1,400 euro në muaj.

Me marrjen e vendimit të Kushtetueses, pjesa dërrmuese e sipërmarrësve të kontaktuara nga “Monitor” thanë se edhe ata do të “vulosin” vendimmarrjen për mbylljen e aktivitetit apo vijimin, për largimin apo qëndrimin në Shqipëri.

Grupet më të prekura

Grupet më të prekur nga nga ndryshimet ligjore për tatimin e profesioneve të lira, sipas rezultateve të sondazhit të Monitor me 613 profesionistë të lirë pritet të jenë financierët (kontabilistë, auditues ligjorë dhe ekonomistët).

Në vend të dytë janë bizneset e sektorit IT. 22,8% e të anketuarve që presin të ndikohen negativisht nga ligji i ri punojnë në fushën e teknologjisë së informacionit.

Efekte negative priten edhe nga 22,9% të të pyeturve që përbëjnë grupin e ofruesve të shërbimeve kërkimore, konsulentë, marketing, përkthyes zyrtar, inxhinier.

9,7% e avokatëve, noterëve dhe juristëve që përbëjnë grupin e katërt të të anketuarve presin gjithashtu efekte negative nga zbatimi i ligjit, i ndjekur nga grupi i mjekëve dhe stomatologëve, që zunë 5,1% të të anketuarve, më tej është grupi i agjentëve të pasurive të patundshme dhe vlerësuesve të pasurive të paluajtshme me 4,8% të të pyeturve dhe 0,8% të bizneseve që përfshijnë ofruesit e guidave turistike.

Rezultatet e sondazhit treguan qartë perceptimin negativ të zbatimit të ligjit të ri të tatimit mbi të ardhurat.

Nga 613 biznese të anketuara, 96% prej tyre u përgjigjën që aplikimi i tatimit progresiv do të kishte ndikim negativ në aktivitetin e tyre. Vetëm 3% thanë se nuk do të kishte ndikim, ndërsa zgjedhja për efekt pozitiv ose pa ndikim ishte më pak se 1%.

Kontabilistët parashikojnë rritje të evazionit nga zbatimi i ligjit të ri

Grupi më i madh i të anketuarve që paralajmërojnë pasoja negative në aktivitetin e tyre janë bizneset e profesioneve të lira, si kontabilistë, auditues ligjor dhe ekonomistë (përbënë 34% të të anketuarve që presin efekte negative).

Kontabilistët dhe ekonomistët vlerësojnë se taksimi progresiv te profesionet e lira nuk zgjidh problematikën e evazionit dhe informalitetit të ekonomisë. Ata presin që taksimi i ri të stimulojë rritjen e qarkullimit të parasë cash.

“Si ekonomiste besoj se do të rrisë shumë informalitetin. Nuk jam kundër tatimit, por në shkallë më të reduktuar, pasi ka biznese që bëjnë 20,000 euro xhiro në vit, ka biznese që bëjnë 100,000 euro xhiro në vit, nuk janë të barabartë, dhe jo gjithmonë lidhet me aftësitë e biznesit, pasi nuk është treg i strukturuar me konkurrencë të pastër e të drejta të “barabarta” në Shqipëri.

Mendoj se më tepër, duhet luftuar informaliteti, me kontrolle të rregullta tatimore, analiza tregu, jo dëmtim të biznesit”, vlerëson një nga ekonomistet e anketuara.

Edhe bizneset e reja presin ecuri negative deri në rrezikimin e mbylljes për shkak të rritjes së evazionit nga shtimi i qarkullimit të parasë cash.

“Ky ligj do të shkaktojë shumë evazion fiskal e rritje çmimesh që shumë biznese nuk do t’i përballojnë, siç jam unë, një biznes i ri. Shumë biznese do të fillojnë të operojnë, me para në dorë për rrjedhojë do të rritet evazioni fiskal. Personalisht nuk kam as 6 muaj që e kam hapur NIPT-in, dhe tani po mendoj që ta mbyll”, pohon një kontabilist i ri nga Durrësi.

Nga totali i të anketuarve të sondazhit, 89% e tyre thanë se vendosja e tatimfitimit për profesionet e lira do të rrisë evazionin dhe informalitetin dhe vetëm 3% deklaruan jo.

Për shumicën e kontabilistëve, vendosja e tatimit ishte e pritshme, por për ta shqetësuese është mënyra jokorrekte e zbatimit të ligjit.

“Mendoj se nuk është një çështje individuale, por e së gjithë shoqërisë, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një vlerë tatimi të cilin padyshim e kemi detyrim qytetar për ta paguar, (dhe në këtë pikë besoj se jo vetëm unë, por shumë profesionistë të fushës sonë, si: financierë, kontabilistë, kontabilistë të miratuar, auditues ligjor, profesorë etj., e kanë pranuar që heqja e taksës vite më parë ka qenë e gabuar, por bëhet fjalë për një ligj, i cili ka edhe shumë probleme të tjera.

Nëse një ligj prek një biznes, kushdoqoftë ai, prek drejtpërdrejt punën time, që s’jam në gjendje t’i japë një konsulencë dinjitoze palës së interesuar, por më duhet t’i them që nuk e kuptoj se pse ligjvënësi e ka menduar në këtë formë?

Ne luajmë rolin e edukuesit të tatimpaguesve, duke u shpjeguar edhe logjikën e vendosjes së taksës. Por në këtë rast, nuk kemi se çfarë t’u shpjegojmë.

Vendosja e një rregulli tatimor, duhet të jetë në dobi të të gjithëve. Pra shteti të marrë atë që i takon, biznesi të paguajë atë që duhet pa krijuar kosto të shtuara në menaxhimin e tatimeve dhe taksave.

I tillë është neni 58, ku përveç rritjes së kostos së menaxhimit, krijon paqartësi të rasteve që përfshin ky nen, duke e vendosur biznesin në atë që quhet “pasiguri juridike”.

Tatimi në burim në marrëdhëniet B2B për disa lloje të ardhurash që realizon një tatimpagues rezident apo me seli të përhershme në Republikën e Shqipërisë të një tatimpaguesi jorezident, është një barrë tatimore e pakuptimtë, ku s’ka të fituar, por vetëm humbës.

Edhe pse janë bërë shkresa të argumentuara nga profesionistë të fushës dhe jo nga biznesi, i cili është prekur nga kjo barrë fiskale, nuk ka një përgjigje apo reflektim kundrejt tyre.

Shteti në rolin e tij, si rregullator në fusha të ndryshme, duhet ta dojë popullin e tij dhe ta trajtojë atë me respekt e dinjitet, qoftë kur vendos dhe merr taksa, po ashtu dhe në rishpërndarjen e tyre. Ndihet një urrejtje dhe arrogancë, jo vetëm te ligjet e miratuara, por sesi i servir nëpër trajnime administrata tatimore.

Ndihemi të sulmuar nga çdo aspekt, pra jo vetëm që do të paguajmë taksa të padrejta, por edhe nuk bëjmë dot mirë punën tonë që është shumë më e rëndë se vetë taksa”, argumenton drejtuesja e një zyre kontabiliteti në Tiranë.

IT “niset” drejt Kosovës dhe Estonisë

Vitet e fundit, tregu i shërbimeve IT në Shqipëri për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime ndaj të tretëve është zgjeruar për shkak të konkurrueshmërisë nga zerimi i taksave.

Për shumë nga bizneset e sektorit IT, me vendosjen e normave tatimore më të larta se Kosova apo shtete të tjera si Estonia dhe Gjeorgjia, Shqipëria humb konkurrueshmërinë dhe pozicionin strategjik në Ballkan për të ofruar shërbime inovative për Europën dhe tregun amerikan me kosto të lirë.

Për rrjedhojë, pas taksimit 15%, janë të shumtë ata që kanë pasion inxhinierinë, si të vetëpunësuar, që tashmë po i drejtojnë sytë drejt shteteve të rajonit apo më tutje për hapjen e biznesit, për shkak të politikave më të favorshme fiskale.

Sipas sondazhit, 23% e të anketuarve po mendonin të mbyllnin aktivitetin, ku 17,5% e tyre thanë se do ta mbyllin ose pezullojnë aktivitetin, ndërsa 5,4% të tjerë thanë se përveçse do ta mbyllnin biznesin, do të largoheshin jashtë vendit. Kosova, Estonia, Gjeorgjia ishin zgjedhjet më të menduara për transferim biznesi.

“Arsyeja që u ktheva në vitin 2016 nga Italia ishin politikat lehtësuese fiskale të parashikuara deri në vitin 2029. Me ligjin e ri kësti i parapagimit më rezultoi 1,200 euro në muaj, një detyrim që nuk e kisha parashikuar që do të niste që këtë vit.

Aktualisht jam duke shqyrtuar mundësinë e transferimit të NIPT-it të biznesit në Kosovë, pasi sipas përllogaritjeve, detyrimi që më duhet të paguaj është 5,000-6,000 euro më pak në vit”, pohon 44-vjeçari i vetëpunësuar për shërbime teknologjike.

Janë të shumtë të vetëpunësuarit e sektorit të teknologjisë së informacionit që po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të bizneseve në shtetet fqinje, për shkak të politikave më të favorshme fiskale.

“Personalisht, nëse ligji nuk rishikohet, do ta mbyll aktivitetin në Shqipëri dhe do të marr në konsideratë të regjistrohem diku tjetër, ku taksat janë më të ulëta p.sh. në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut, por pse jo dhe në vende pak më të largëta siç është Gjeorgjia, që e ka taksën vetëm 1%, e cila është shumë tërheqëse për të huajt për të bërë biznes”, tha një të anketuarit në IT”.

“Në rast se për ndonjë arsye kjo gjë nuk do të jetë e mundur, atëherë me shumë mundësi thjesht s’do të vazhdoj më, si i vetëpunësuar, por do të aplikoj në një shtet tjetër për të filluar punë, si punonjës me kohë të plotë”, pohon një tjetër zhvillues softueri nga Fieri.

Aleksandër Risilia, themelues dhe drejtues i kompanisë “Ritech” që ofron shërbime IT për tregun në SHBA, shpjegoi më herët për podcast-in “Business Plus”, se zerimi i taksave dha shumë kontribut për zgjerimin e tregut IT dhe me taksimin e ri shtrenjtohen shërbimet.

“Nisur nga të dhënat që ne zotërojmë i ka shtrenjtuar shërbimet e ofruara në Shqipëri më shumë se në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo do të ndalë rritjen e kompanive dhe të vetëpunësuarve në këtë sektor, por edhe tkurrje të tyre”.

Ndryshimi i taksimit pritet të ketë më tepër efekte te start up në IT, pasi sipas Risilisë, vë në vështirësi aftësimin e tyre profesional.

“Nuk jemi ende gati për të qenë një treg i madh start-up, pasi të gjitha tregjet e ngjashme, si në Poloni dhe Rumani, të cilat e kanë kaluar këtë fazë, fillimisht e kanë nisur duke ofruar shërbime ndaj kompanive të huaja.

Të punosh për kompani të mëdha do të thotë të rrisësh aftësitë profesionale. Kjo ka sjellë që shumë individë, që kanë punuar më parë me kompanitë e mëdha të huaja, janë aftësuar profesionalisht për të krijuar start-up, pasi është shumë e vështirë për të ngritur start up inovativ me ndikim botëror nëse nuk ke aftësi.

Aftësitë fitohen duke punuar për kompani e mëdha. Prandaj është tepër e nevojshme që miratimi i politikave fiskale të jetë i përshtatshëm për IT, pasi janë kontribuuesi më i madh i individëve për ngritjen e start up në Shqipëri”, nënvizoi ai më herët.

Shërbime, kërkime, konsulent

Edhe nga të vetëpuësuarit në arsim apo në fushën e përkthimit zyrtar pritet rritje çmimesh apo mbyllje biznesesh.

Kjo kategori biznesesh së bashku me ofruesit e shërbimeve kërkimore, konsulentë, marketing, inxhinier përbënin 22,9% të të anketuarve të sondazhit që presin efekte negative.

“Ne japim mësim të gjuhëve të huaja, sa mund ta vendosësh vlerën një kursi gjuhe? Domethënë biznesi ynë është shërbim, që nuk përfshihet te domosdoshmëria, kështu që nëse rrisim çmimin, do ulet numri i klientëve, kështu që sërish jemi me humbje”, pohon N.A mësim i gjuhës së huaj në Tiranë.

“Ky ligj e fundos shtresën e mesme. Ndikimi në buxhetin e shtetit është i pandjeshëm, ndërsa ne profesionistet e lirë na rrënohet jeta e përditshme. Të ardhurat tona shkojnë drejtpërdrejt për mbajtjen e familjeve tona.

Çmimet e ushqimeve, qirave, karburantit kanë kërcyer pa asnjë kontroll, ndërkohë që tatimi na heq mundësinë që të përballojmë jetesën e përditshme”, thotë një përkthyese në Tiranë.

Avokatët nisin aplikimin e tarifave të shtrenjtuara deri në 20%

Avokatët paralajmëruan më herët se përfshirja e tyre në taksimin progresiv do t’i godasë për të dytën herë, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të hartës së re gjyqësore për rishpërndarjen e gjykatave, çka do të reflektohej në shtrenjtimin e tarifave.

Avokati Përparim Caca pohoi për “Monitor” se për shkak të tatimit të lartë, tarifat e përfaqësimit në gjyq nga avokatët janë rritur mesatarisht 15 deri në 20%.

“Konkretisht, nëse më parë tarifa për çështje përfaqësimi në gjyqet civile kushtonte nga 45,000 lekë tashmë është bërë 60,000 mijë lekë (rritja 33%)”, thotë ai.

Tatimi pritet të ndikojë negativisht sidomos te vajzat e reja që janë në hapat e parë të sipërmarrjes.

“Unë jam Avokate e re në profesion dhe nuk e kam aq të lartë fitimin sa të tatohem me 15%. Mendoj që duhet të bëhen disa përjashtime nga ky tatim si p.sh., këtu po flas për eksperiencën time personale.

Jam Avokate e re dhe prej një viti kam zyrën time, tregu është shumë i ashpër dhe klientela është shumë e vështirë për t’u rritur. Për Avokatët e rinj p.sh., të paktën të bëhet një përjashtim nga ky tatim për 5 vitet e para, që dhe ne të kemi mundësi të qëndrojmë në treg”, thotë një avokate nga Elbasani.

Sipas rezultateve të sondazhit 38% e të anketuarve thanë se do të detyrohen të rrisin çmimet, 26% deklaruan se do të sakrifikojnë fitimin neto dhe 4% deklaruan se do të ulin shpenzimet e aktivitetit.

Me ligjin e ri, fitimi neto i bizneseve taksohet në normat 15 dhe 23%, i llogaritur nga diferenca e të ardhurave vjetore me shpenzimet.

Llogaritjet e administratës tatimore për 9 këstet e parapagimet u mbështetën mbi deklarimet e bizneseve për të ardhurat dhe shpenzimet e vitit 2023.

Ligji përfshiu për herë të parë njohjen e shpenzimeve apriori. Për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit me xhiro 10 milionë në vit, te profesionet e lira njohja e shpenzimeve apriori ishte në masën 30%.

Nga zbatimi i ligjit rezultoi se biznesit nuk iu dha mundësia të zgjedhë regjimin e veçantë për njohjen e shpenzimeve apriori, të parashikuar në ligj, që në vitin e parë të zbatimit.

“Shumë profesionistë të lirë kanë probleme me dokumentimin e shpenzimeve. P.sh. një avokati nuk i njihen shpenzimet për karburant, ku për transportin drejt gjykatave minimalisht shpenzohen 10 litra karburant në ditë, apo 60 mijë lekë në muaj.

Për këtë profesion njihen vetëm shpenzimet për kancelari, të cilat janë në vlera të ulëta.

Gjithashtu edhe vendosja e parapagimit të tatimit, kur askush nga ne nuk e di se sa të ardhura do të realizojë për vitin koherent, është e gabuara. Ligji për tatimin mbi të ardhurat godet tërësisht shtresën e mesme”, pohon avokat Përparim Caka.

Për njohjen e shpenzimeve me deklarimet për vitin 2023, shumë biznese pohojnë se i kanë deklaruar të ulëta, për shkak të vështirësive që hasin në dokumentimin e tyre, si dhe mungesës së përgjegjësisë tatimore.

Ndërsa ekonomistët pohuan se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse, që nuk mund të deklarohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit, për shkak të pamundësisë nga modeli, do të zbatohej si zbritje nga administrata tatimore.

Pas llogaritjeve të kësteve të parapagimit të tatimit nga administrata tatimore është sqaruar se shpenzimet apriori prej 30% do të zbatohen, pasi të përzgjidhen si opsion nga bizneset, për deklarimet e fitimit të vitit 2024, që kryhen më 31 mars 2025.

Avokati Përparim Caca tha se pritet të ketë rritje të tarifave deri 20% edhe për shërbime të tjera të ofruara, si nga stomatologët, psikologë etj.

Grupi i mjekëve dhe stomatologëve që zunë 5,1% të anketuarve që presin efekte negative nga ndryshimet ligjore.

“Dëmton zhvillimin tim profesional. Dëmton ekonominë e familjes sime. Biznesi drejt mbylljes. Blerja e një shtëpie, ëndrra ime në sirtarin e Edi Ramës”, pohon një stomatologe e anketuar nga Tirana.

Çfarë efektesh priten nga agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ofruesit e guidave turistike

Profesionet e lira që do të taksohen në normat 15 dhe 23% u klasifikuan në 26 lloje aktivitetesh, që përfshinë 180 kategori biznes ofrues të shërbimeve, sipas vendimit që hyri në fuqi në muajin dhjetor.

Në listën e profesioneve të lira u përfshinë aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimit, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit, operatorët turistikë etj.

Ervin Demirxhiu, broker i agjencisë imobiliare “Perla Real Estate” vlerëson se tatimi në këto norma do të ulë cilësinë e shërbimit dhe do të rrisë informalitetin.

“Shërbimet janë biznese, sa fitimprurës dhe të brishta, duket sikur çdo e ardhur është fitim, por në të vërtet ka shumë kosto, paga, qira, taksa, tarifa marketingu etj.

Çdo taksë, tatim, para që na grabitet, përkthehet në investime të munguara, persona më pak të punësuar, investime më pak të kryera për rritjen e kapaciteteve, daljen jashtë kufijve etj.

Nëse ne paguajmë më shumë taksa, sigurisht që na frenon për t’u zhvilluar më tej, apo për t’u bërë konkurrues në tregje, pastaj sigurisht që do të lulëzojë edhe më shumë informaliteti, dhe shërbimet që ne do të kryenim, do të ofrohen nga sekserët, persona të palicencuar e kualifikuar, ku do të bëhen objekt për konflikte dhe mosmarrëveshje mes shitësve dhe blerësve”.

Të tjerë të anketuar nga ky sektor parashikojnë situatë më të vështirë. “Rrezikoj që 12 punonjësit që janë në menaxhimin tim të mbeten bashkë me mua të papunë.

Arsyeja: Tatim në fitim që po më faturohet është fiks fitimi vjetor neto i imi si punëdhënës”, pohoi një konsulent imobiliar nga Tirana.

Ndërsa për operatorët e guidave turistike, shqetësimi ngrihet jo për pamundësinë e pagesës, por të dëmit moral që ka shkaktuar korrupsioni dhe keqmenaxhimi i taksave.

Në rast të kundërt, shumë nga bizneset e kontaktuar kryesisht IT, pohuan se po studiojnë mundësinë të transferojnë aktivitetin në një tjetër shtet që i favorizon me lehtësi fiskale, ndërsa sipërmarrësit e rinj si avokatë, kontabilistë apo ekonomistë e shohin më të arsyeshme të mbyllin aktivitetin. /Monitor/

Continue Reading

Aktualitet

I shkaktuan shtetit dëm 53 milionë lekë, Prokuroria e Tiranës jep masat e sigurisë për 4 persona

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për 4 persona të cilët i shkaktuan shtetit një dëm prej 53 milionë lekësh, pasi shmangën detyrimet tatimore.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mashtrimi”, Prokuroria kërkoi burg për Serxho Mahmutaj dhe detyrim paraqitje për shtetasit Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kristo.

Sipas Prokurorisë, këta persona kanë krijuar 3 subjekte tregtare për të kryer importet në favor të tregtarëve të ndryshëm, që këta të fundit ta marrin produktin pa faturë.

Këto shoqëri kanë përfituar duke mos deklaruar xhiron reale, shmangur detyrimet tatimore dhe duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 53 milionë lekë.

Nga hetimet, rezultoi se këto subjekte kanë kryer importe të mallrave të ndryshme, të cilat janë përdorur për rishitje nga subjekti kundrejt pagesës.

Serxho Mahmutaj ka përdorur të dhënat e tre shtetasve Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kristo. me të cilat ka regjistruar këto subjekte dhe ka kryer çdo veprim në emër të tyre.

Continue Reading

Aktualitet

Skandali me mikrokreditë, Sejko jep llogari më 21 maj në Komisionin e Ekonomisë

Më 21 maj Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko do të jetë i pranishëm në mbledhjen e komisionit të ekonomisë për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në lidhje me skandalin e Mikro Kredit Albania për mbledhjen e kredive të këqija nga institucionet financiare jo banka.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Sorina Koti u shpreh se guvernatorit do i kërkohet llogari se përse nuk janë marrë masa edhe për normat e interesit, shqetësim i ngritur 1 vit më parë.

“Na shetëson ose që ngre pikëpyetje është më pas pjesa e hipotekimeve apo blerjeve të kredive të këqija nga kompania në fjalë dhe lidhjen që ka kjo kompani apo kompani të tjera të mikro-financës me përmbaruesit dhe me noterët. Deri ku shkon mbledhja e kredive të këqija, roli dhe pse Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë hapa mbrojtëse apo rregullatore për këtë treg që ne kemi ngritur disa herë shqetësimin. Madje ne vjet e kemi patur guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në komision, çështja e mikro-kredive dhe mikro-financës është diskutuar enkas për shkak të normave të larta që ka ky sektor.” – tha deputetja e PD-së, Sorina Koti.

Ligjvënësja demokrate thotë se për këtë dëgjesë ka marrë edhe dakordësinë e deputetëve të mazhorancës, ndërkohë shtoi se hapi i radhës është hartimi i një ligji të dedikuar për sektorin e mikrokredisë.

“Duhen ndërmarrë masa një orë e më parë për ta stabilizuar dhe për ta futur në shina mikrokredinë, ashtu siç funksionon edhe në vendet e Bashkimit Europian. Ne na mungon legjislacioni për ta rregulluar këtë sektor, kështu që hapi i radhës është patjetër me urgjencë miratimi i një ligji për këtë sektor” – tha deputetja demokrate.

Skandali me kreditë e këqija që mbledh Mikro Kredit Albania përllogaritet se prek 100 mijë familje ndërsa dëmi konsiderohet mbi 100 milion euro.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING