Kronike
“Thika ishte e tij”/ Zbardhet dëshmia e autorit: Turistin e vrava për vetëmbrojtje
Zbardhet dëshmia e 29-vjeçarit S. V., i dyshuar për vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Ksamil.
Para gjykatës, 29-vjeçari ka dhënë versionin e tij për konfliktin, duke pretenduar se goditja me thikë ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai ka deklaruar se përplasja ka nisur brenda ambienteve të lokalit, ku disa turistë dyshohet se ishin nën efektin e alkoolit.
Sipas dëshmisë së tij, pasi turistëve u është kërkuar të qetësoheshin, situata ka agravuar dhe ka kaluar në përplasje fizike. 29-vjeçari, i cili punonte si truprojë në kompleksin “Principote”, pretendon se viktima kishte në dorë thikën dhe se ai ia ka marrë atë gjatë konfliktit.
Sipas versionit të dhënë prej tij, thika nuk ishte e tija dhe goditja fatale ka ndodhur më pas, në një tjetër ambient, në distancë nga lokali.
29-vjeçari i është nënshtruar edhe ekzaminimeve mjekësore, pasi në trupin e tij janë konstatuar shenja goditjesh.
Ndërkohë, pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar vetëm momentet e para të konfliktit. Për shkak të numrit të madh të personave që largohen me vrap dhe errësirës, momenti konkret i goditjes me thikë nuk është kapur nga kamerat.
I riu portugez kishte mbërritur në Shqipëri rreth një javë më parë, së bashku me disa miq. Ndërkohë, familjarët e tij ende nuk janë paraqitur në polici për procedurat e tërheqjes së trupit.
Në orët e para pas ngjarjes u raportua se konflikti mund të kishte nisur për shkak të një vajze, por kjo pistë mbetet ende për t’u verifikuar nga grupi hetimor.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë, ndërsa pretendimi i 29-vjeçarit për vetëmbrojtje do të vlerësohet nga organet e drejtësisë.