Connect with us

Aktualitet

Thyhet një barrierë historike/ Vaksina mRNA kalon provën e madhe kundër melanomës

Një nga objektivat më të mëdha të mjekësisë moderne po i afrohet realitetit. Një vaksinë eksperimentale dhe e personalizuar kundër kancerit ka dhënë rezultate pozitive në provën klinike të fazës së tretë, duke ulur rrezikun e rikthimit dhe përhapjes së melanomës.

Trajtimi, i quajtur “intismeran autogene”, është zhvilluar nga Moderna dhe Merck dhe përdoret së bashku me imunoterapinë Keytruda.

Në studimin global morën pjesë 1 137 pacientë me melanoma të fazave IIB deri në IV, të cilëve tumori u ishte hequr plotësisht përmes operacionit. Rezultatet treguan se kombinimi i vaksinës me Keytruda dha përmirësim të ndjeshëm kundrejt përdorimit vetëm të imunoterapisë, si në parandalimin e rikthimit të sëmundjes, ashtu edhe në frenimin e përhapjes së saj në organe të tjera.

Vaksina prodhohet posaçërisht për çdo pacient. Shkencëtarët analizojnë mutacionet e tumorit dhe krijojnë një formulë mRNA që e “stërvit” sistemin imunitar të njohë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene.

Rezultatet pesëvjeçare të provës së mëparshme, të fazës së dytë, treguan 49% ulje të rrezikut të rikthimit ose vdekjes dhe 59% ulje të rrezikut të metastazave të largëta ose vdekjes.

Megjithatë, kompanitë nuk kanë publikuar ende përqindjet e plota të fazës së tretë. Të dhënat do të paraqiten në një kongres ndërkombëtar dhe më pas do t’u dorëzohen autoriteteve përkatëse për miratim.

Ky nuk është ende një trajtim i miratuar për përdorim të përgjithshëm dhe as një vaksinë parandaluese për njerëzit e shëndetshëm. Ajo synon pacientët që janë operuar nga melanoma dhe përballen me rrezikun e rikthimit të sëmundjes.

Por fakti që një vaksinë e personalizuar mRNA ka kaluar me sukses një provë të fazës së tretë konsiderohet një moment historik, që mund të hapë një epokë të re në trajtimin e kancerit.

 

Advertisement