Kosova
TRAGJEDI/ Vëllai i vë flakën motrës dhe plagos rëndë nënën, vajza ndërroi jetë në spital
Një ngjarje e rëndë brenda familjes ka tronditur fshatin Potreq të Klinës në Kosovë, ku një vajzë ka humbur jetën si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë nga zjarri, ndërsa nëna e saj vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa si i dyshuar për krimin është arrestuar vëllai i viktimës, i cili, sipas autoriteteve, dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor.
Nga të dhënat paraprake të hetimit, i dyshuari dyshohet se fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij. Më pas, ai dyshohet se ka shkuar në një dhomë tjetër të banesës, ku ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë, duke i shkaktuar plagë të rënda trupore.
Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë arrestimin e të dyshuarit. Ndërkohë, dy gratë janë dërguar fillimisht për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore janë transportuar më tej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, vajza nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga zjarri. Policia e Kosovës njoftoi se më 7 korrik 2026 është informuar për vdekjen e saj, e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor.
I dyshuari është ndaluar fillimisht për 48 orë, ndërsa për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike është dërguar në repartin e psikiatrisë së Spitalit Rajonal të Pejës, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë, ndërsa nëna e viktimës mbetet nën kujdesin e mjekëve.