Connect with us

Rajon

Tragjedia e mbytjes së anijes, 9 të dyshuarit dalin në gjykatë

Nëntë egjiptianët e akuzuar si fajtorë të tragjedisë së mbytjes së anijes në brigjet greke, dolën në gjykatë ku u deklaruan të pafajshëm.

Nëntë të dyshuarit – të gjithë të moshës nga 20 deri në 40 vjeç – akuzohen për formim të një organizate kriminale, vrasje nga pakujdesia kontrabandë me njerëz.

Një avokat i njërit prej të arrestuarve tha se klienti i tij ishte një pasagjer, jo një kontrabandist.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se deri në 500 persona janë ende të zhdukur ndërsa janë arritur të rekuperohen trupat e pajetë të 79 personave, dhe 104 të tjerë janë shpëtuar.

Anija u fundos rreth 80 kilometra në jug-perëndim të Pylos, ndërkohë që autoritetet e rojës bregdetare thanë se ekuipazhi i saj kishte refuzuar ndihmën e ofruar nga ta.

Të dyshuarit do të kthehen në gjykatë ditën e martë, kur do të vendoset nëse do të qëndrojnë në burg deri në fillimin e gjykimit.

Ndërkohë, autoritetet pakistaneze kanë arrestuar 14 persona në lidhje me trafikimin e dyshuar të disa emigrantëve që u mbytën.

Kryeministri i vendit shpalli të hënën ditë zie kombëtare për ata që humbën jetën në tragjedi dhe urdhëroi një “hetim të nivelit të lartë” për incidentin.

“E siguroj kombin se ata që gjenden të braktisur në detyrën e tyre do të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar kryeministri Sharif.

Kërkimi për të mbijetuarit do të vazhdojë edhe këtë të hënë, por shpresave për të mbijetuar po i vjen fundi.

Sipas mediave greke një dëshmitar ka thënë se ka dëgjuar kapitenin duke folur për 747 persona, nga të cilët 560 ishin pakistanezë. Në tragjedinë e Kallamatës 78 persona janë gjetur të vdekur dhe 104 të tjerë janë shpëtuar.

Advertisement