Bota
TRAGJEDIA NE TURQI, 9 VIKTIMA NE SHKOLLE
Të paktën tetë nxënës dhe një mësues janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga një sulm me armë në një shkollë në jug të Turqisë, ka thënë ministri i Brendshëm Mustafa Çifçi.
Ngjarja ndodhi në shkollën e mesme “Ayser Çalik” në zonën e Kahramanmaraşit, ku Çifçi tha se 13 persona u plagosën, ku 6 prej tyre janë në gjendje kritike.
Autori, një 14-vjeçar dhe nxënës i kësaj shkolle, mbeti gjithashtu i vrarë.
Ai hyri në dy klasa dhe kishte me vete pesë armë dhe shtatë karikatorë. Guvernatori lokal Mukerrem Ünlüer tha se armët i përkisnin babait të nxënësit, një ish-oficer policie. Ky i fundit është arrestuar.
Motivi i sulmit të së mërkurës ende nuk dihet dhe ka nisur një hetim.
Në disa video, shihen njerëz që hidhen nga dritaret e katit të parë të shkollës dhe largohen me vrap nga ambientet gjatë kohës që ndodhte sulmi.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se u uron “shërim të shpejtë fëmijëve tanë, familjeve tona dhe mësuesve tanë” në një postim në X.
Ngjarja vjen një ditë pasi 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës hapi zjarr në një tjetër shkollë të mesme, gjithashtu në jug të vendit, përpara se të vriste veten.