Kronike
Tre emra, 3 ditëlindje, 3 pasaporta! Kush i dha trafikantit të kokainës dokumentat në Kosovë e RMV?
Një nga personat që SPAK dyshon se ka qenë pjesë e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës rezulton të jetë pajisur me dokumente identifikimi dhe pasaporta nga tre shtete të ndryshme, duke përdorur tre emra dhe tre data lindjeje të ndryshme.

Dokumentet e siguruara nga “MaShqip” në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme hedhin dritë mbi atë që mund të kthehet në një skandal institucional për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas dosjes, i dyshuari figuron në Shqipëri si Alfredo Hamzai, i lindur në Vlorë më 19 qershor 1972. Në Kosovë ai rezulton me identitetin Genc Bedini, i lindur në Vlorë më 17 nëntor 1974, i pajisur me letërnjoftim me numër ID1547638 dhe pasaportë të Republikës së Kosovës me numër P01644289. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut figuron si Genci Tanasi, i lindur më 13 gusht 1972, me numër personal 1408972450130 dhe pasaportë me numër K1187590.

Pra, sipas dokumenteve zyrtare të tre shteteve, i njëjti person rezulton të ketë lindur në tre data të ndryshme, të mbajë tre identitete të ndryshme dhe të jetë pajisur me tre pasaporta autentike orgjinale.
Dosja e SPAK-ut e siguruara nga “MaShqip”, ngre dyshime se këto dokumente nuk janë siguruar përmes procedurave normale. Në një nga komunikimet e përgjuara nga autoritetet, që ndodhet në fashikujt hetimorë, përmendet mënyra se si sigurohej pasaporta e Maqedonisë së Veriut.”Më mori maqedonsi për pashaportën dhe më tha nesër në darkë duhet të jesh bashkë me shokun tënd në Shkup se pasnesër në mëngjes do futeni dhe për 1 ditë e merrni.”

Ky komunikim ngre dyshime të forta se dokumentet janë siguruar përmes ndërhyrjeve të paligjshme dhe pagesave financiare, pasi procedurat normale për marrjen e shtetësisë dhe pajisjen me pasaportë kërkojnë verifikime të shumta administrative, kontrolle sigurie dhe afate që nuk përputhen me pajisjen e dokumenteve brenda një dite.
Pikërisht këtu nis edhe skandali. Nëse personi që në Shqipëri njihej si Alfredo Hamzai është i njëjti person që në Kosovë figuron si Genc Bedini dhe në Maqedoninë e Veriut si Genci Tanasi, atëherë lind pyetja se si kanë funksionuar sistemet e identifikimit biometrik, gjendjes civile dhe verifikimeve të sigurisë në këto shtete.
A do të hapin autoritetet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut hetime për falsifikim dokumentesh, deklarime të rreme, mashtrim për përfitim shtetësie apo shpërdorim detyre? Kush e propozoi dhënien e shtetësisë? Kush i verifikoi dokumentet? Kush i firmosi ato?
Sipas SPAK, Alfredo Hamzai alias Genc Bedini alias Genci Tanasi dyshohet për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave penale në kuadër të organizatës kriminale”.

Hetimet tregojnë se ai është dënuar më parë në Belgjikë për trafik kokaine, ndërsa fitimet e dyshuara nga aktiviteti kriminal janë investuar në Shqipëri nëpërmjet ndërtimit të resorteve turistike luksoze, vilave dhe pasurive të paluajtshme në zonat më të kërkuara të bregdetit.
Sipas dosjes, ai dhe djali i tij kanë marrë pjesë në takimet e njohura të Aruba-s që prej vitit 2019, takime ku SPAK dyshon se koordinohej aktiviteti i rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës. Më pas, kontaktet e grupit janë shtrirë në Monako, Spanjë, Belgjikë dhe Gjermani.
Grupi ku ai dyshohet se bënte pjesë lidhet me disa nga sasitë më të mëdha të kokainës të kapura në Europë. Në dosje përmenden episode që përfshijnë mbi 8 tonë kokainë, mes tyre rreth 700 kilogramë të sekuestruara në Antwerp, 2,010 kilogramë në Guayaquil të Ekuadorit, 1,100 kilogramë në Rotterdam, si dhe një tjetër ngarkesë prej 4.1 tonësh kokainë e kapur në Holandë.

Po aq tronditëse janë edhe shifrat e pasurive të sekuestruara nga SPAK. Operacioni ka çuar në bllokimin e rreth 150 milionë eurove pasuri, përfshirë 491 prona, dhjetëra kompani tregtare dhe 209 llogari bankare. Në mesin e pasurive të vendosura nën sekuestro ndodhen resorte turistike, vila luksoze, apartamente, troje dhe sipërfaqe të konsiderueshme toke në bregdetin shqiptar thuhet ne dosjen e siguruara nga “MaShqip”.
Ndërsa SPAK vijon hetimet për rrjetin e trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave, një pyetje mbetet ende pa përgjigje: si arriti një person i dënuar për trafik droge, me tre emra dhe tre data lindjeje të ndryshme, të pajiset me pasaporta autentike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pa ngritur asnjë alarm në sistemet shtetërore?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të zbulojë jo vetëm një rrjet trafiku droge, por edhe një skemë shumë më të gjerë të falsifikimit të identiteteve dhe depërtimit të krimit të organizuar në institucionet shtetërore të rajonit./ dosja.al