Politike
TRE TAKIME NË DITË ME NJË NGA SHEFAT E KRIMIT/ Artan Hoxha ngre pikëpyetje për ish-drejtoreshën e SHISH
Gazetari Artan Hoxha ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën e drejtimit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe përgjegjësinë për emërimet në krye të institucionit. Hoxha e vendosi përgjegjësinë politike te kryeministri Edi Rama, duke iu referuar emërimit të Vlorës Hysenit në krye të SHISH-it.
“Përgjegjësia është e kryeministrit. Atë zonjën e ka pasur këshilltare dhe e vuri në SHISH”, u shpreh gazetari.
Sipas tij, drejtimi i një shërbimi informativ kërkon kontroll dhe reagim të vazhdueshëm nga drejtuesit politikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që prekin sigurinë kombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë në NATO.
Një pjesë e deklaratës së gazetarit u përqendrua te mënyra e funksionimit të SHISH gjatë drejtimit të Vlorës Hyseni.
Hoxha pretendoi se Hyseni nuk kishte lënë një numër dy në strukturën drejtuese të institucionit, duke krijuar, sipas tij, një kanal më të drejtpërdrejtë komunikimi.
“Kur u bë drejtoreshë e Shërbimit nuk la numër dy, krijoi një lidhje direkte dhe bënte tre takime në ditë me një nga shefat kryesorë që merrej me krimin e organizuar”, tha ai.
Gazetari ngriti pyetje mbi arsyet e këtyre kontakteve dhe mënyrën se si, sipas tij, ishte organizuar komunikimi brenda institucionit.
Ai pretendoi gjithashtu se Hyseni kishte krijuar një rreth të ngushtë në SHISH dhe kishte ndryshuar mënyrën standarde të komunikimit.
Në fokus të diskutimit ishte edhe Ergys Agasi. Hoxha tha se ai nuk duhet parë thjesht si biznesmen apo person i përfshirë në botën kriminale, por si një figurë që, sipas interpretimit të tij, kishte krijuar një pozicion ndërmjet strukturave shtetërore dhe botës së krimit.
“Gysi nuk është as biznesmen dhe as gangster. Është nga një familje shumë e mirë”, deklaroi Hoxha.
Më tej, gazetari ngriti pyetjen se nga buronte fuqia që, sipas tij, kishte Agasi dhe solli në diskutim edhe pretendimin se gjatë periudhës kur ai kishte ndikim, numri i vrasjeve kishte rënë.
“Ra numri i vrasjeve, pse? Se ai kishte pushtet. Nga i buron kjo fuqi?”, tha Hoxha.
Hoxha foli gjithashtu për marrjen e pasaportës shqiptare nga Vlora Hyseni, duke pretenduar se ajo e kishte marrë atë në vitin 2016, pas përfshirjes në një listë të ardhur nga Kosova.
Sipas tij, Hyseni nuk i plotësonte kriteret, por pasaporta iu dha për një arsye që ai e përshkroi si “shtetërore”.
Gazetari ngriti pikëpyetje edhe për mënyrën se si Hyseni u përzgjodh fillimisht si këshilltare e kryeministrit dhe më pas u emërua në drejtimin e SHISH.
“Ky vend ka plot njerëz të shkolluar brenda dhe jashtë për të qenë në atë pozicion. Zgjedhje direkte nga kryeministri. Duhet të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Hoxha.
Deklaratat e Artan Hoxhës janë vlerësime dhe pretendime të tij mbi mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe marrëdhëniet mes personave të përmendur dhe nuk përbëjnë, në vetvete, konstatime të provuara gjyqësisht.