Kosova
Tre vjet nga sulmi ndaj ushtarëve të NATO-s: Roli i Vuçiçit përmes Radoiçiçit në destabilizimin e veriut
Janë bërë tri vjet nga dhuna në Zveçan, ku mbetën të plagosur 93 ushtarë të KFOR-it, disa prej tyre më rëndë e disa më lehtë, të dislokuar para ndërtesës së komunës. Ndërkohë, u lënduan edhe rreth 50 serbë, shumë prej të cilëve më pas u larguan drejt Serbisë.
Të njëjtit, që prej asaj kohe, nuk kanë qenë të qasshëm për drejtësinë në Kosovë. Që nga viti 2023 janë arrestuar më shumë se 10 persona, ndërsa disa prej tyre janë dënuar me nga një vit burgim, pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranim të fajësisë.
Gjatë vitit 2025, dy persona kanë marrë dënime më të larta nga gjykata njëri është dënuar me dy vjet burgim, ndërsa tjetri me afro pesë vjet.
Ky mision ndërkombëtar kishte shprehur gjithashtu pritjen që edhe institucionet në Serbi të hetonin personat që u kthyen atje pas trazirave. Megjithatë, në Serbi nuk dihet nëse po zhvillohet ndonjë hetim ndaj personave që morën pjesë në këto sulme.
Misioni paqeruajtës, KFOR, kishte ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve, pasi paraprakisht i kishte paralajmëruar, por ata nuk ishin bindur. Më pas, protestuesit serbë, disa prej tyre të maskuar, sulmuan ushtarët e KFOR-it duke përdorur shok-bomba, koktej molotovi dhe mjete të tjera të forta.
Policia e Kosovës nuk kishte qenë e pranishme në momentin e intervenimit të KFOR-it për shpërndarjen e protestuesve serbë në Zveçan.
Këto trazira u shndërruan në pikënisjen e tensioneve të reja në veri të Kosovës, të cilat kulmuan në shtator të vitit 2023, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë pranë Zveçanit.
Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.