Bota
Tronditet lindja e Mesme/ Trump nuk e lë Iranin të marr frymë: Do kthehemi të hedhim edhe ca bomba të tjera
Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer retorikën e ashpër ndaj Iranit, duke lënë të hapur mundësinë e veprimeve të tjera ushtarake nëse Teherani nuk përmbush kërkesat e Uashingtonit. Deklaratat vijnë në një moment kur negociatat SHBA-Iran mbeten të bllokuara dhe tensionet në rajon janë në rritje.
Përplasja mes Uashingtonit dhe Teheranit vijon të mbetet në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare. Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Iranit, duke kërkuar që Republika Islamike të heqë dorë plotësisht nga çdo mundësi për të zotëruar armë bërthamore.
Ndërkohë, presidenti amerikan ka sinjalizuar se rikthimi në tryezën e negociatave mund të ndodhë vetëm nëse plotësohen kushtet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Më 19 gusht, Trump deklaroi se bisedimet mund të rifillojnë “në një moment”, por se aktualisht situata, sipas tij, është në favor të SHBA-së.
Në sfond qëndron edhe tensioni rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej pikave më strategjike për transportin global të naftës dhe gazit. Trafiku në këtë korridor është reduktuar ndjeshëm për shkak të konfliktit, ndërsa Teherani ka vendosur kushte për rihapjen e plotë të rrugës detare.
Trump ka shkuar edhe më tej në deklaratat e tij, duke kërcënuar se SHBA-ja mund të godasë infrastrukturën iraniane në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve në Hormuz. Në një deklaratë të mëparshme, ai tha se për çdo sulm iranian ndaj një anijeje, SHBA-ja do të godiste një urë ose një central elektrik në Iran.
Por tensionet nuk janë kufizuar vetëm te Irani. Trump ka kërcënuar edhe Omanin, një aleat tradicional i SHBA-së dhe një nga ndërmjetësit kryesorë në përpjekjet për dialog mes Uashingtonit dhe Teheranit. Shkak është bërë marrëveshja që Omani po negocion me Iranin për menaxhimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit.
Në këtë klimë të tensionuar, çdo deklaratë e Trumpit për rikthimin te opsioni ushtarak shihet si një sinjal se konflikti mund të marrë sërish përmasa më të mëdha, ndërsa përpjekjet diplomatike mbeten të pasigurta.